Ky është zyrtari i Komunës së Mamushës që dyshohet se regjistroi kundërligjshëm 6 turq

 

 

Një zyrtar i gjendjes civile në Komunën e Mamushës është arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi i njëjti dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta mëson se i dyshuari është Myrat Shala.

Burimet e Gazetës brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Shala dyshohet se ka regjistruar kundërligjshëm gjashtë shtetas të Turqisë në sistemin e gjendjes civile, duke ua mundësuar kështu që ta fitojnë shtetësinë e Republikës së Kosovës.

Sipas burimeve, në bazë të informacioneve fillestare, i dyshuari fillimisht i ka regjistruar shtetasit e Turqisë pa qenë ata fare dhe pa pasur të drejtë ligjore për të fituar shtetësinë e Kosovës.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, për t’u intervistuar nga organet e hetuesisë, por i njëjti ka shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet për veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d