Hetimi i Policisë që nisi për një rast që u denoncua si tentim grabitje më 24 shkurt në fshatin Krushë e Madhe në Rahovec, ka marrë rrjedhë tjetër, pas provave që janë siguruar nga organet e rendit. Rasti është ricilësuar si ‘Vrasje në tentativë’ dhe katër persona të dyshuar janë prangosur nga Policia. Arrestimi i tyre erdhi pas një aksioni që rezultoi edhe me sekuestrimin e armëve e municionit. Të njëjtit kanë dalë para Gjykatës dhe tashmë janë zbuluar detajet e natës kritike.
Personat e dyshuar që po hetohen për këtë rast janë Besnik Duraku, Abedin Hasani (ndodhet akoma në spital për shkak të lëndimeve), Çlirim Muharremi dhe Bashkim Duraku.
Nga Gjykata Themelore në Gjakovë kanë bërë të ditur për Sinjalin se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke iu caktuar masën e paraburgimit të dyshuarve për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të vrasjes së mbetur ne tentativë dhe mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas kërkesës, “A.H. dhe Ç.M., “Me datën 24 shkurt 2024, në fshatin Krushë e Madhe, Komuna Rahovec, me dashje kanë tentuar të privojnë nga jeta të dëmtuarit B.D. dhe B.D.(1), nga fshati Krushë e Madhe, Komuna Rahovec, ashtu që pasi natën kritike rreth orës 23:00h të pandehurit A.H. dhe Ç.M kishin shkuar të pajisur me armë tek shtëpia e të dëmtuarve B.D dhe B.D.(1), ku me vete kishin armë të llojit të panjohur N.N, ashtu që pasi të njëjtit janë vërejtur nga ana e të dëmtuarve kanë gjuajtur disa herë në drejtim të tyre duke iu shkaktuar lëndime trupore gjendje kjo e konstatuar nga raporti mjekësor i QKMF-së Rahovec, duke ikur më pas në drejtim të panjohur deri kur paraqitet për ndihmë të parë në Spitalin Rajonal të Prizrenit për shkak të lëndimeve të marra trupore.
“Po ashtu në kohën dhe vendin e njëjtë i pandehuri B.D. me dashje kanë tentuar të privojnë nga jeta të dëmtuarit A.H. dhe Ç.M., i cilin me t’i vërejtur në rrugë menjëherë e njofton vëllain e tij B.D.(1), dhe nga shtëpia ka gjuajtur me armë të tipit AK – 47 shumë herë duke i shkaktuar lëndime trupore tek i dëmtuari A. H., ndërsa B.D.(1), sapo ishte informuar nga vëllai i tij B. D., kishte marrë veturën e tipit ‘’N……’’, duke dalur në një rrugë tjetër dhe ka gjuajtur jashtë veturës me armën e tipit M-57, në drejtim të të dëmtuarve, duke shkaktuar kështu lëndime trupore, siç është konstatuar nga raporti mjekësor i Spitalit Rajonal të Prizrenit”, ndërsa Prokurori i Shtetit ndaj të pandehurve ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.”
Lidhur me këtë rast, Policia Rajonale në Gjakovë ka zhvilluar para dy ditësh bastisje në shtëpitë e tyre, që rezultuan me sekuestrimin e disa armëve e rreth 150 fishekëve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.