Të miturit me alkool e duhan në duar, për një vit u dënuan vetëm dy biznese

 

 

Dukuri brengosëse dhe në rritje po konsiderohet konsumimi i duhanit dhe alkoolit nga të miturit, për çka po kërkohet kujdes nga prindërit e shkollat, por edhe nga bizneset që shesin këto produkte. E derisa monitorimi i bizneseve që nuk respektojnë ligjin që ndalon shitjen e duhanit dhe alkoolit, po duket të jetë sfidues për institucionet, bëhet e ditur se gjatë vitit që shkojë, janë gjobitur vetëm dy biznese.

MINT në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, thekson se ligji për mbrojtjen e konsumatorit ndalon edhe ekspozimin e duhanit, për të cilën inspektorët e tregut kurdo që hasin raste të tilla ndërmarrin veprime ligjore. Dhe as kjo pjesë nuk respektohet nga marketet.

“Inspektorët e Tregut në baza ditore, gjatë çdo inspektimi, kanë për obligim të kujdesen që këto dispozita të ligjit të respektohen nga subjektet ekonomike që ndër të tjera merren edhe me shitjen e alkoolit dhe duhanit. Meqenëse si dukuri është e vështirë të evidentohet gjatë inspektimeve, sepse momentin që inspektorët janë prezent operatorët ekonomikë janë të kujdesshëm, mirëpo gjatë vitit 2023, janë evidentuar se në dy raste u është lejuar të miturve të blejnë duhan dhe alkool, pasi që shitësja nuk ka kërkuar që konsumatori të dëshmojë moshën me anë të dokumentit identifikues. Ndaj dy subjekteve ekonomike është iniciuar procedurë në Gjykatë. Gjithashtu, Ligji i lartpërmendur ndalon ekspozimin e duhanit për çka po ashtu inspektorët e tregut, kurdo që hasin në raste të tilla ndërmarrin veprimet ligjore,” thekson MINT në një përgjigje me email.

Neuropsikiatri Sami Rexhepi është shprehur se është shumë brengosëse shitja dhe konsumimi i pijeve nga të miturit, pasi që është rritur numri i të rinjve të cilët kanë filluar të abuzojnë me duhan dhe alkool, dhe se dëmi i këtyre moshave të reja është shumë i madh në tru dhe mushkëri.

“Ajo çka është shumë brengosëse është se numri i të rinjve të cilët kanë filluar me abuzuar me duhan dhe alkool është në rritje, brengosëse është edhe vet fakti se mosha gjithnjë më të reja po fillojnë me abuzim, që për pasojë e ka sa më e re të jetë mosha e fillimit të përdorimit apo abuzimit me alkool dhe duhan dëmtimet po flasim për një tru i cili nuk është plotësisht i formuar i pjekur dëmtimet janë shumë të mëdha, sa më e re të jetë mosha dëmi është shumë më i madh, çoftë në tru si organ ,çoftë në mushkëri. Mjerisht që disa ndryshime të cilat shkaktojnë atë moshë të re janë invizibile që do të thotë kur nuk e kemi në rimarrjen e plotë të trurit apo të mushkërive,” thotë Rexhepi.

Sipas tij, prindërit duhet të jenë më të ndërgjegjshëm rreth kësaj çështje, punëtorët ta respektojnë ligjin për të mirën e fëmijëve. Ai rekomandon që shkollat të bëjnë më shumë kontrolle, pasi që nxënësit gjatë shëtitje të organizuara nga shkolla, përdorin lëndë narkotike dhe substanca të tjera, por gjithashtu gjatë këtyre organizimeve, të mos lejohet hyrja e të miturve në klube të natës.

“Nuk ka një formulë e cila do të respektohej, kjo duhet të filloj me ndërgjegjësimin e prindërve në radhë të parë, sepse nuk ka prindër që dëshiron që fëmija të konsumojë duhan apo alkool në moshë të re, zakonisht ajo bëhet fillimisht fshehurazi, është ndërgjegjësimi i prindërve për mbikëqyrje më të madhe të fëmijëve, jo në kuptimin e një kufizimi apo ndalese se ai e bënë më kureshtarë një fëmijë për ta provuar se si duket, pastaj është ndërgjegjësimi i punëtorëve në ato shitore që ta respektojnë ligjin për të mirën e fëmijëve, jo vetëm për mos sanksionim si punëtorë, por me mendu gjithmonë se ata fëmijë janë fëmijët e tyre dhe çka kur ata fillojnë të abuzojnë me këto dyja, dhe vjen edhe shkolla se shpeshherë të rinjtë nëpër shëtitje ekskursione kanë gjithmonë disa kënde të fshehta ku marrin duhan, fillojnë me duhan pastaj fillojnë me abuzu edhe me bari dhe substanca tjera psikoaktive edhe njësoj mos me lënë qasje nën moshën 18 vjeçare të rinjve nëpër diskoteka, klube të ndryshme dhe mos me i lënë shumë qasje në jetën e natës për të rriturit,” shton ai.

Ndërsa, sociologu Gent Xërxa shprehet se në Kosovë, marketet të cilat furnizohen me alkool janë afër shkollave. Por një problem tjetër, sipas tij, është se vet të miturit , shesin alkool apo duhan si shitës ambulativ.

“Tek të miturit ndikon mjaft keq, ashtu se ligji për mbrojtjen e konsumatorit, neni 15 dhe thotë se nuk duhet t’iu ofrohet, shërbehet apo shitur të miturve, sipas kësaj predispozite lidhet edhe me raportimin e tyre në çoftë se vërehen këto fenomene në drejtori të punës, që mendoj se nuk është një mekanizëm i fortë parandalues me krahasim me vendet e tjera, ku shumica e duhanit dhe alkoolit janë larg shkollave,… 00:39 nuk është si në vendin tonë në çdo 100 metra apo çdo market apo vend tjetër shërbyes… 00:51 Kemi edhe raste të tjera, kemi parë vetë edhe për shkak kushteve të rënda ekonomike, e kemi pa se edhe të miturit shesin vet si shitës ambulativ të cigareve, ashtu si iu imponohet pak nga kureshtja, adoleshenca, jo edukimi adekuat, nga kushtet e rënda që iu imponohet të shesin dhe të jenë afër këtyre gjërave të cilat janë të ndjeshme,” shprehet Xërxa.

Përndryshe, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kërkon nga konsumatorët që në rast se hasin në shkelje të ligjit ndonjë operator ekonomik, ta deponojnë ankesën pranë Departamentit të Mbrojtjes së Konsumatorit, në numrin pa pagesë: 0800 11000 ose në ueb faqen https://konsumatori.rks-gov.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d