Kryeqyteti ende pa shtatore të Adem Jasharit

 

 

Nëpër shumë vende të Kosovës, heroit legjendar Adem Jashari, simbolit të lirisë së Kosovës i janë ndërtuar shtatore, një e tillë ende nuk është vendosur në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë.

Diskutimet ende përqendrohen rreth lokacionit të mundshëm për shtatore. Ndërsa, shoqatat e dala nga lufta dhe opozita komunale që kritikojnë për vonesën dhe kërkojnë një zgjidhje të shpejtë e meritor. Komuna e Prishtinës arsyetohet se po punon për të gjetur një zgjidhje, ndërsa pritet që pas përfundimit të procedurave të caktohet një datë për zbulimin e shtatores.

Është simboli i lirisë së Kosovës. Kulla nga e cila luftoi e u flijua për lirinë e vendit, bashkë me familjen e tij, sot vizitohet nga gjithë Shqiptarët dhe jo vetëm.

Por, kur Kosova po i mbush 16 vite si shtet e sa vite në liri, kryeqyteti deri me sot nuk ka vendosur shtatoren e komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Megjithatë këtu qëndron një baner që simbolizon hapësirën ku mendohet të vendoset shtatorja e Ademit.

Xhavit Jashari, nga shoqatat e dala nga lufta, tha se kanë kërkuar qysh nga paslufta vendosjen e shtatores në kryeqytet të komandantit Legjendar.

“Kërkesa jonë ka qenë që në të gjitha qendrat, qoftë në Tiranë, qoftë në Shkup, Prishtinë, fillimisht të vendoset shtatorja e komandantit Adem Jashari në shenjë sakrifice në shenjë të gjithë një veprimtarie atdhetare”, thotë Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së.

Nga komuna e Prishtinës thanë se janë duke pritur nga familja Jashari një përgjigje sa i përket lokacionit.

”Si çështje kryesore e mbetur, është vendi, ku do të vendoset e që duhet koordinuar bashkëvendosur me familjen Jashari, të cilët e kanë pasur një kërkesë për një propozim të ri, pastaj pjesët e tjera, termat e referencës, konkursi publik janë të gatshëm dhe procedurat e tjera deri në zbulimin e shtatores së komandantit legjendar, Adem Jashari”, thotë Donat Lushaku, zëdhënës i komunës së Prishtinës.

Lushaku foli për lokacionet e përfolura për vendosjen e shtatores.

“Si propozim fillestar ka qenë hapësira mes kuvendit dhe qeverisë, ndërsa nga qeverisja e kaluar e ish kryetarit Shpend Ahmeti, ka qenë një propozim që të jetë mes Kuvendit të Kosovës dhe komunës së Prishtinës, por që ka ngecur”, tha ai.

Opozita në kryeqytet kritikon komunën që nuk e ka kryer këtë çështje.

Edhe pse është vonuar vendosja e shtatores së tij, qytetarët e Prishtinës kërkojnë një vend meritor për të.

Sipas komunarëve, pasi të përfundojnë të gjitha këto procedura, do të gjendet një datë e veçantë për zbulimin e shtatores.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d