Kohëve të fundit krime të shumta janë duke ndodhur si shkak i rrjeteve sociale, sidomos TikTok-ut.
Pak ditë më parë, një grua 27- vjeçare ka kryer vetëvrasje në Shqipëri, pasi në një llogari në TikTok i është shpërndarë një foto intime.
Mbrëmë, zëvendës ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besford Lamallari ka deklaruar se Qeveria është duke marrë masa të forta për rrjetet sociale, kryesisht TikTok.
Lamallari deklaroi se kanë marrë shqetësime reale, kryesisht për të miturit.
“Ministria e Brendshme disponon të dhëna të raportuara nga struktura e krimit kibernetik dhe kemi parë rritje shqetësuese të veprave penale nga viti në vit. Nga 2022 në 2023, kemi 40.4 % rritje të veprave penale, duke përfshirë edhe veprat që kërcënojnë mirëqenien e të miturve. Në takimin e fundit me ministritë dhe shoqëritë civile u raportua se kishin 350 telefonata në ditë për bullizëm, apo internet të pasigurt”, tha Lamallari.
Ai ka thënë se kanë kontaktuar përgjegjësit e rrjeteve sociale dhe pritet që në ditët e ardhshme të takohen me ta.
“Nga këto të dhëna, është ulëritëse që kemi një jetë të humbur dhe ne si shoqëri, Ministra e Brendshme, çdo institucion dhe media po reagojnë, sepse nuk duhet të presim viktimën e radhës, duke përfshirë masat me karakter legjislativ apo bashkëpunim me organizata. Ky alarm është ngritur nga këto statistika, kemi pasur kontakte me këto organizma si Meta TikTok për të ndarë me ta shqetësimet që ne kemi dhe masat që duhen marrë. I kemi lajmëruar dhe kanë reaguar, shumë shpejt do të kemi dhe takime për të diskutuar për masat”, tha ai.