Një person 33 vjeçar me shtetësi kosovare, me banim në Dietikon (Kantoni i Cyrihut) ka shitur makina luksoze duke bërë kështu një fitim gjashtëshifror, gjegjësisht, rreth 193.000 franga. Problemi në këto shitblerje qëndron në faktin se makinat nuk i përkisnin atij.
Automjetet ishin modele të cilësisë së lartë si Chevrolet Corvette, BMW X5 dhe Porsche 911. Ai i merrte ato përmes veprimtarive kriminale dhe i shiste brenda pak muajsh.
Kosovari jetonte në Zvicër që nga mosha gjashtë muajshe dhe kishte ndjekur shkollimin në Dietikon.
Ai ka punuar si mekanik makinash në garazhe të ndryshme ndërsa ka hapur garazhin e tij me një koleg midis viteve 2020 dhe 2021 shkruan gazeta “Limmattaler Zeitung”. Gjatë kësaj kohe ai zhvillonte aktivitetet e tij kriminale.
Me letërnjoftime false të automjetit, ai ka mundur të disponojë lirisht automjetet. Një shqiptar nga Italia e ka ndihmuar duke e pajisur me karta përkatëse identiteti (të makinave) pa të ashtuquajturin Kodi 178: kod që tregon se ndërrimi i pronarëve është i ndaluar.
Me ndihmën e këtyre dokumenteve të falsifikuara, i akuzuari ka mundur të marrë me leasing një BMW X5 në emër të tij. Më pas ai ia ka shitur atë një blerësi në Urdorf për 77,000 franga. Dhe kjo, pa dijeninë e qiradhënësit (dhënësit me leasing).
Ai bëri një gjë të ngjashme me një Porsche 911 që kishte marrë për riparim dhe rishitje të mundshme.
Në një rast tjetër, një person i prekur ia kishte dorëzuar atij një Chevrolet Corvette për rishitje. Në vend të shitjes së veturës, i akuzuari e kishte të regjistruar veturën në emër të tij. Më në fund ia shiti atë një shitësi makinash në kantonin Solothurn për 55,000 franga.
Pavarësisht futjes në borxhe, ai ka kryer krime të mëtejshme: bënte ture për qejfin etij me makina që nuk i përkisnin dhe bënte kundërvajtje në trafik, përcjell albinfo.ch. Një herë ai kishte vozitur edhe për në Kosovë – edhe pse zyra e trafikut rrugor ia kishte hequr patentën e shoferit në vitin 2013.
Gjykata e Qarkut të Cyrihut e ka dënuar atë me 33 muaj burg. I pandehuri është shfaqur i penduar./Prishtina Sot/