Vrasja e Kosovare Kurtajt – avokati shokohet nga përgjigja e Prokurorisë: Nuk është çudi që vriten gratë në Kosovë

 

 

Avokati i familjes së Kosovare Kurtajt, që ka më shumë se një dekadë që kërkon drejtësi, është shokuar nga një përgjigje që ka marrë nga Prokuroria në Prishtinë. Në këtë përgjigje që e ka ndarë më Insajderin, pak a shumë arsyetohet mos-hetimi i pistës së vrasjes arsyetimin se dëshmitari kyç është në Francë dhe që pandemia Covid e mbyllja e kufijve për shkak të saj po i pengon. Ama, kjo përgjigje iu dha 2 vite pasi që më nuk flitet për pandemi askund në botë.

Ishte viti 2010. Në rrugën Milloshevë-Mitrovicë ndodhi një aksident. Diçka që në shikim të parë do dukej një aksident krejt i zakonshëm, del që tash pas afro një dekade e gjysmë ende mbetet mister e ku më shumë ngritën pyetje se sa jepen përgjigje.

E vdekur në këtë aksident mbeti Kosovare Kurtaj. Deri sot, askush nuk është dënuar me vendim të formës së prerë për këtë rast.

Prokuroria po insiston që rasti të ndiqet si vrasje e shkaktuar nga aksidenti. Por, familja në anën tjetër po insiston që rasti të hetohet si vrasje, apo siç thotë avokati që e përfaqëson familjen, Ramë Dreshaj, të hetohet si vrasje e rëndë, apo makabër.

InDoks, prodhim i Insajderit, muaj më parë ka transmetuar dokumentarin “Kush e vrau Kosovaren?”, që të plotë e gjeni këtu:

Avokati i familjes, Ramë Dreshaj në vazhdimësi ka bërë shkresa në Prokurori që ta shtyjë këtë lëndë përpara.

Një ndër pikat që ai ka kërkuar ka qenë edhe një SMS kërcënues që pretendohet se e kishte marrë nëna e viktimës, Bedrije Kurtaj, e që ai po kërkon që të zbulohet se kush ishte pronar- rrjedhimisht, kush e dërgoi këtë SMS pasi zhvarrosjes së trupit të Kosovares.

Prokuroria nuk e ka zbuluar këtë.

Për këtë, Dresjah i ka shkruar Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

“Prej vitit 2012 merrem me këtë rast, ekziston dyshimi i bazuar me humbje jete në komunikacion është vrasje e rëndë makabër. E vërteton fotoalbumi”, i ka thënë Gazetës Insajderi avokati Dreshaj.

Ai ka treguar se çka bëri janarin e këtij viti për ta shtyrë këtë rast përpara.

“Më 3 janari 2024 i jam drejtuar Kryeprokurorit që të vërtetoj numrin që e ka kërcënuar nënën e viktimës, dhe Kryeprokurori ma dërgon përmes prokurores së rastit (Javorka Prlinčević). Edhe pse kërkesa ka qenë të zbulohet numri i kërcënimit, por sipas Javorkës Covidi qenka ende dhe kufijtë mbyll”, ka thënë Dreshaj për Insajderin duke konstatuar se për të kjo përgjigje është shokuese dhe më së paku tregon jo-profesionalizëm të theksuar në Prokurori.

“Nuk është çudi që femrat shqiptare vriten tana antë, se Prokuroria nuk funksionon në mënyrë profesionale”, ka thënë ai.

Por, çka u tha Prokurorja Javorka Prlinčević në përgjigje, dokument ky që ai e ka ndarë me gazeten?

“Duke marrë parasysh se disa dëshmitarë gjenden jashtë vendit, përkatësisht në Francë, ashtu që përveç nënës së të ndjerës, Kosovare Kurtaj, e cila ka nënshtetësinë e Francës, e që nuk është marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit dhe dëshmitarë të tjerë gjenden në Francë, është iniciuar Ndihma juridike ndërkombëtare përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorit të Francës që të ndihmojnë lidhur me marrjen e deklaratave të dëshmitarëve të këtij rasti gjatë rrethanave të jashtëzakonshme -Pandemisë Covid-19 dhe mbylljes së kufijve, nuk ka mundur të realizohet vizita në Francë dhe të merren në pyetje dëshmitarët lidhur me këtë rast, andaj me aktvendim PP.I.nr.908/2011 i dt. 15.01.2021 kjo Prokurori i ka ndërprerë hetimet”, thuhet në përgjigjen e para disa ditësh që është ëprgaditur nga Prokurorja në fjalë.

“A thua edhe sot ka Covid Franca? E ka kufirin e mbyllur?”, flet i befasuar më këtë përgjigje avokati Dreshaj

“Arsyetimi është jo-profesional” tha ai, duke këmbëngulur që  sipas tij “…vrasja makabër herët a vonë do të zbulohet”.

“Janë rend vrasjet e grave që prokuroria nuk po do që të veproj. Së paku është jo-profesionale, në mos më shumë”, ka thënë avokati Dreshaj për Insajderin.

Sipas shkresës së Prokurores së këtij rasti, Javorka Prlinčević nuk bëhet me dije fare se a është hetuar SMS kërcënues ndaj nënës së viktimës, dhe se pas përfundimit të pandemisë së Covid-19 a ka tentuar më Prokuroria ta kontaktoi dëshmitarin që pretendon që e di kush e ka vrarë Kosovare Kurtajn.

Në këtë shkresë që e ka Insajderi vetëm jepet një përshkrim çka është bërë në rast, a dhënë përgjigje pse nuk janë ndërmarrë hapat e tjerë, e së paku gjetja e pronarit të numrit që kishte kërcënuar të ëmën e viktimës.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë më dt. 10.08.2020 ka marrë Aktvendim për rifillimin e hetimeve me numër PP.I.nr.908/2010 kundër të pandehurit Ervin Zejneli, për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë nga neni 147 të KPRK-së. Me dt. 07.09.2020 në cilësinë e të pandehurit është marrë në pyetje Ervin Zejneli, ndërsa me dt. 15.10.2020 në cilësinë e dëshmitares është marrë në pyetje A. Zh”, thuhet në shkresë.

Prokurorja në fjalë tregon edhe çka ka vendosur që të bëjë me këtë rast në të cilin familja këmbëngul që është vrasje.

“Kjo Prokurori deri më sot nuk ka gjetur ndonjë provë, që do të vërtetojë se është kryer vepra penale vrasje e rëndë, andaj Gjykata Themelore në Prishtinë mund të vazhdojë me lëndën P.nr.3571/2013 sipas aktakuzës së Prokurorisë Publike të Qarkut në Prishtinë nr. PP.nr.908- 1/2011 e dt. 24.01.2011 kundër të pandehurit Ervin Zejneli, për shkak të veprës penale Rrezikimi i Trafikut publik nga neni 297 par.5 lidhur me par.3 dhe par. 1 të KPK-së”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Kosovare Kurtaj vdiq në fillim të dhjetorit të vitit 2010. As pas 14 vitesh Prokuroria nuk ka një vendim definitiv se si ndodhi krejt ngjarja. Familja pretendon se ajo u dhunua seksualisht, u vra pastaj, dhe u inskenua një aksident.

Që nga viti 2015 Prokuroria pati filluar të hetojë në pistën e dyshimit për vrasje të saj, por në shkresnë e fundit të Prokurorës së rastit duket që rasti do të vazhdohet veç si vdekje si pasojë e aksidentit.

Por edhe pas 14 vitesh një pyetje esenciale ka mbetur pa përgjigje: Kush e vrau Kosovaren? Vdiq në aksident, apo u vra dhe pastaj u inskenua aksidenti?

Shiko dokumentarin “Kush e vrau Kosovaren?”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d