Naim Murseli është dërguar sot nën masa të rrepta sigurie nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Prokurorinë e Shtetit në Prishtinë, për t’u intervistuar më tej rreth rastit të vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.
Murseli dhe dy të tjerë, Granit Plava e Kushtrim Kokalla, dyshohen për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj në Prishtinë në fund të muajit nëntor.
Portali Indeksonline ka publikuar sot pamje të mbërritjes, nën masa të ashpra sigurie, të Murselit në Prokurori.
Të mërkurën, prokurori i rastit e ka marrë në pyetje edhe Kushtrim Kokallën, ish-pjesëtarin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Ademajt.
Kokalla ishte arrestuar në dhjetor te vitit të kaluar nën dyshimin për veprën penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale vrasje e rëndë”.
Pas marrjes në pyetje, Kokalla është dërguar në burgun e sigurisë së lartë në Dyz nën forca të shumta sigurie.