Në Seancën përkujtimore të cilën e mbajti Kuvendi i Drenasit, për shënimin e Ditës së gjenocidit serb në Kosovë, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka mbajtur fjalë rasti ku theksoi “nëse harrojmë, kjo histori tragjike do të na përsëritet”.
Askush më mirë se ne këtu, nuk e di vërtetësinë e veprave makabre të okupatorit serb dhe emërtimin për veprat e tyre të quhen gjenocidi serb, nga Ahmet Delia e këndej, ka deklaruar Lladrovci.
Postimi i Lladrovcit në fb:
Me rastin e shënimit të Ditës së gjenocidit serb në Kosovë, në Seancën përkujtimore të Kuvendit të Drenasit, mbajta këtë fjalë rasti:
I nderuari kryesues z. Hajdari,
Të nderuara asambliste e asamblistë,
Drejtorë, Zonja e zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Në vitin 2019, në Kuvendin e Republikës së është miratuar Rezoluta e cila e ka definuar terrorin serb në Kosovë me emërtimin e saj real: Rezolutë për gjenocidin e kryer serb në Kosovë.
Dita e kryerjes së masakrës së Reçakut nga forcat serbe, më 15 janar të vitit 1999, është shpallur Ditë e gjenocidit serb në Kosovë. Në arsyetimin e shpalljes së kësaj dite përkujtimore për gjenocidin e kryer serb në Kosovë, thuhet:
Në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, më 1948, me “gjenocid” nënkuptohet kryerja e cilitdo nga krimet e numëruara në nenin II të kësaj konvente:
(a) vrasja e anëtarëve të grupit;
(b) cenimi i rëndë i integritetit fizik ose mendor i anëtarëve të grupit;
(c) vënia e grupit qëllimisht në kushte të tilla të jetës, që sjellin zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij;
(d) ndërmarrja e masave për pengimin e lindjeve brenda grupit; dhe
(e) transferimi i dhunshëm i fëmijëve nga njëri grup në tjetrin;
(f) kur krimi është bërë me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht, në aspektin fizik ose biologjik një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si i tillë.
– faktet se gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë forcat e armatosura të Serbisë, në operacionet luftarake të ndërmarra, me qëllim që të shkatërrohen shqiptarët si grup kombëtar, etnik dhe fetar i ndryshëm nga serbët, kanë vrarë 1.392 fëmijë shqiptarë, 1.739 gra shqiptare dhe rreth 10.000 civilë të tjerë shqiptarë të të gjitha moshave;
Kuvendi i Kosovës ka konstatuar se vrasjet e fëmijëve, e grave, e pleqve dhe e civilëve shqiptarë të moshave të ndryshme gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, përbën krim të gjenocidit në kuptimin si përkufizohet gjenocidi me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.
Të nderuar asamblistë,
Rezoluta ka konstatuar po ashtu se:
– pas përfundimit të luftës në Kosovë nuk është bërë asnjë dënim politik i gjenocidit të dëshmuar të regjimit serb në Kosovë;
– institucionet politike dhe të drejtësisë në Serbi vazhdojnë të mohojnë krimin e gjenocidit në Kosovë dhe, rrjedhimisht, refuzojnë riparimin e dëmeve të shkaktuara;
“Janë gjetur varreza masive në Serbi. Shteti serb vazhdon të fshehë të vërtetën edhe për mbi 1.600 persona të zhdukur. U shkatërruan mbi 100 mijë objekte banimi, ndërtesa shkollore, objekte fetare e kulturore, shkolla, xhami dhe kisha katolike”, thuhet më tej në rezolutë.
Zonja e zotërinj,
Askush më mirë se ne këtu, nuk e di vërtetësinë e veprave makabre të okupatorit serb dhe emërtimin për veprat e tyre të quhen gjenocidi serb, nga Ahmet Delia e këndej.
Kujtojmë Likoshanin, Qirezin, Prekazin, Vërbocin, Çikatovën, Paklekun, Abrinë,… dhe njëqind masakrat tjera masive në Kosovë.
Kujtojmë këtu, familjen Ahmeti, Muqolli, Deliu, Familjen Elshani, Morina, Familjen Caraku…dhe mijëra familje tjera të cilat pësuan nga gjenocidi serb.
Ne nuk harrojmë, por, nëse harrojmë, kjo histori tragjike do të na përsëritet.
Të nderuar asamblistë,
Të nderuar qytetarë,
Gjenocidi serb kundër popullit shqiptar, nuk është i kohëve të reja. Ky gjenocid filloi më 1871, për të marrë hov pas Kongresit të Berlinit, në luftërat Ballkanike, Luftën e Parë Botërore, Luftën e Dytë Botërore, për të vijuar në luftën e fundit, të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare të Kosovës.
Historia e njeh qëndresën e Ahmet Delisë, të Azem e Shotë Galicës, e njeh rezistencën e Shaban Polluzhës, të Rifat Berishës, të Tahir Mehës e deri te Komandanti legjendar Adem Jashari dhe UÇK-ja e cila e realizoi idealin shekullor, çlirimin nga okupatori serb.
Besoj e keni lexuar dialogun kur Gjenerali amerikan Klark në bashkëbisedim me kriminelin Millosheviq, më 1998, flet për ndaljen e dhunës kundër shqiptarëve.
Po e parafrazoj: “Gjeneral Klark, dimë ne si të sillemi me këta shqiptarët, kishte thënë krimineli Millosheviq, “e kemi bërë edhe më parë. E keni bërë? i thashë. -Po, tha, në 1946. Po si kështu? –I vramë. I vramë të gjithë. Ma tha drejtpërdrejt, në fytyrë”, ka shkruar Gjenerali Klark.
Ky vend ku kriminelët serb kryen krime, duke i vrarë të gjithë, ishte Drenica.
Këtë, vit, kombi shqiptar dhe Drenica nuk e harron. Prandaj lindi UÇK-ja.
Këtu në Drenicë, djepi i rezistencës shekullore, u bë zonë e ballafaqimit final, nga ku u ndez flaka e lirisë me Jasharajt legjendar dhe sakrifica mbinjerëzore, morëm përkrahjen e botës demokratike dhe krijuam aleancën e pashkëputshme me kombet e lira.
Të nderuar asambleistë,
Në Ditën e gjenocidit serb në Kosovë, kujtojmë me nderim, heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit.
Kujtojmë dhe nderojmë, prijësit e luftës dhe paqes, të cilët padrejtësisht nuk janë sot me ne, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të tjerët.
I kujtojmë me nderim, të gjithë ata që ndër breza kontribuuan për emancipimin nacional, fuqizimin e ndjenjës kombëtare dhe çlirimin e vendit, nderojmë të rënët në mbrojtje të kombit dhe vlerave atdhetare.
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!
Ju faleminderit!
https://www.facebook.com/share/p/q2tTmcPAXfhUJBLj/?mibextid=WC7FNe