Gjatë ditës së sotme ishte paraparë të mbahej seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarëve, Valon Haliti, Zenë Rushiti dhe Driton Mulaj të cilët akuzohen për veprën “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Dështimi erdhi për shkak të mungesës së njërit nga të akuzuarëve, Valon Halitit, i cili njëherit është edhe drejtor i Inspekcionit në Komunën e Skenderajt.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 10 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Valon Halitit, Zenë Rushitit dhe Driton Mulajt.
Aty thuhet se dy të pandehurit e parë më 13 qershor 2023 dhe i pandehuri Mulaj më 15 gusht 2023, në Skenderaj, në cilësinë e zyrtarëve me dashje dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit nr.04/L-110, Ligjit nr.04/L-175, nuk ia kanë ndërprerë punimet në gërmimin – eksploatimin e dheut operatorit ekonomik konsorciumin “Andrra&Asons” SH.P.K., i cili nuk kishte pasur leje ndërtimi, ndërsa i pandehuri Mulaj operatorit të lartcekur ia ka lëshuar lejën ndërtimore në kundërshtim me kushtet ndërtimore të përcaktuara nga Drejtoria e Urbanizmit.
Në pikën e parë të aktakuzë thuhe se, i pandehuri Valon Haliti në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Skenderajt, duke e shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare me qëllim që të përfitoj operatori ekonomik konsorciumin “Andra&Asons” Sh.P.K., nuk ia ka ndërprerë punimet ndërtimore këtij operatori, dhe në këtë mënyrë i është shkaktuar dëm material komunës së Skenderajt, të dëmtuarit D.Xh në shumë prej 76 mijë e 791 euro 32 centë, ndërsa të dëmtuarit F.S në shumë prej 60 mijë euro.
Me këto veprime, Valon Haliti akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 3, nënparagrafi 3.2 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së
Sipas pikës së dytë të aktakuzës, i pandehuri Zenë Rushiti në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Skenderajt ka shfrytezuar detyrën e tij zyrtare me qëllim që të përfitoj operatori ekonomik konsorciumin “Andra&Asons” Sh.P.K., nuk ia ka ndërprerë punimet ndërtimore këtij operatori edhe pse ka qenë në dijeni se i njëjti nuk ka leje ndërtimore, dhe nuk i ka shqiptuar gjobë përkundër faktit që i ka përpiluar procesverbalet, dhe në këtë mënyrë është shkaktuar dëm material komunës së Skenderajt, të dëmtuarit D.Xh në shumë prej 76 mijë e 791 euro e 32 centë, ndërsa të dëmtuarit F.S në shumë prej 60 mijë euro.
Me këto veprime, Zenë Rushiti po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 3, nënparagrafi 3.2 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së.
Ndërsa, në pikën e tretë të aktakuzës thuhet se i pandehuri Driton Mulaj në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit në Skenderaj, ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, me qëllim që të përfitoj operatori ekonomik konsorciumin “Andra&Asons” Sh.P.K., ashtu që këtij operatori ekonomik, ia ka lëshuar lejen ndërtimore për ndërtimin e dy etazheve – kateve në bodrumin-2B, duke vepruar në kundërshtim me nenin 21 të Ligjit nr.04/L për Ndërtim dhe në kundërshtim me kushtet për ndërtim të përcaktuara nga Drejtoria e Urbanizmit.
Me këto veprime, Driton Mulaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së.
Seanca e radhës u caktua më 24 shkurt, ditë e hëne, ku Gazeta “Prishtina Sot” do ju mbajë të informuar.