President i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Austri, avokati Arsim Vranovci me rastin e festimit te Ditës së Shtetësisë së Austrisë, e cila shënohet më 26 tetor, përmes një iniciative për nënshkrimit te memorandumit te mirëkuptimit ka arritur që deri sot të ketë miratimin e mbi dymbëdhjetë (12) kryetarëve të komunave të Kosovës, të cilët janë zotuar në ngritjen e flamurit të Austrisë krahas flamurit të shtetit të Kosovës në objektet e komunave të tyre me rastin e Ditës se Shtetësisë së Austrisë.
Krejt kjo si shenjë simbolike e unitetit dhe përkushtimit ndaj paqes, vlera këto që janë të rëndësishme edhe për Republikën e Kosovës.
“Kjo jo vetëm që do të shënojë Ditën e Shtetësisë së Austrisë, por gjithashtu do të theksojë bashkëpunimin gjatë shumë vjetëve midis Kosovës dhe Austrisë në fusha të ndryshme, duke përfshirë kulturën, arsimin dhe zhvillimin ekonomik, por do jetë edhe një shenjë falënderimi për popullin austriak dhe shtetin austriak për ndihmësen e tyre gjatë historisë për popullin shqiptar dhe se një ceremoni e tille do përsëritet edhe ne vitet ne vijim.
Shpresoj që kësaj iniciative t’i bashkohen edhe komunat e tjera të cilat vetëm se kanë shprehur deklarimin e tyre për të bërë nënshkrimin e memorandumit, por për shkaqe teknike ende nuk kemi arritur t’i konkretizonim dhe se pas Kosovës shpresojmë që ta bëjë të njëjtën gjë edhe Shoqata e Miqësisë Austri – Kosovë me seli në Vjenë dhe të punojmë së bashku për të forcuar lidhjet ndërmjet dy vendeve tona”, ka thënë Vranovci.