Problemet me ambalazhuesit- Gjoba e ndërprerje pune, Inspektorati i ministrisë e dënoi për tri vite rresht Frutex/Golden Eagle-n për leje ujore

 

 

Mungesa e lejeve ujore me validitet i kishte sjellë gjoba disa prej firmave për ambalazhimin e ujit. Përjashtim këtu nuk bën as kompania Frutex/Golden Eagle me pronar Shaqir Palushin. Përkundër raporteve zyrtare të ministrisë dhe gjobave për mungesë të lejes ujore, firma në fjalë vazhdonte punën. Më 2022-ën Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit merrte vendim për ndërprerje të punimeve për Fruttex/Golden Eagle.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) iu është përgjigjur pozitivisht kërkesës për qasje në dokumente publike të Gazetës Insajderi lidhur me vendimet e inspektoratit të kësaj ministrie karshi operatorëve ekonomikë të ambalazhuesve të ujit nga viti 2022 e deri më 2024.

Në dokumentet që ka siguruar Insajderi, vërehet se për tri vite rresht firma e Shaqir Palushit ishte dënuar për mos-pajisje të lejës ujore me datë valide.

Insajderi iu është drejtuar me pyetje firmës Frutex/Golden Eagle, mirëpo që dy javë nuk ka marrë përgjigje. Po ashtu, mediumi ka provuar të kontaktojë përmes telefonit edhe pronarin Palushi por ai nuk ka qenë i qasshëm.

Në tetor të 2022-ës, Inspektorati i MMPHI’së kishte marrë vendim që t’i shqiptonte gjobë në vlerë prej një mijë eurove firmës Frutex për mos-pajisje me leje ujore valide. Në vendim po ashtu kërkohej që të ndërpriteshin punimet deri në sigurimin e saj. Përkundër mungesës së lejes ujore, sipas vendimit të inspektoratit, firma e Palushit shfrytëzonte 12 mijë litra për orë për prodhimin e lëngjeve.

Nga inspektimi i objektit të amballazhuesit të ujit, është konstatua se operatori ishte aktiv me punë/operim, posedon vijën teknologjike për prodhim të lëngjeve dhe amballazhim me kapacitet përafërsisht (12000 lit/h). Ndërsa, nga inspektimi i dokumentacionit u konstatua se operatori nuk posedon leje ujore-valide (me afat të caktuar kohor), nga MMPHI-ja. Operatori për te u pajisur me leje ujore obligohet nga Ligji i Ujërave nr.04/L-147, neni 72 dhe obligimet nga U.A. 03/2018 për leje ujore.

Operatori ujin e shfrytëzon nga dy puse vetanake njëra me thellsi (10m), dhe tjetra me thellsi (20m). Operatori eksporton në disa shtete jashtë R.Kosovës.

Nga konstatimi i gjendjes, operatorit: SH.P.K “Frutex”, me procesverbalin e lartcekur i është shqiptuar masa-urdhri që të ndërpres aktivitetin e punës për shfrytëzim të ujit deri sa të pajiset me leje ujore-valide (me afat të caktuar kohor), nga Ministria e Ambientit Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës (MMPHI)”, thuhej në aktvendimin e 2022-ës.

Këtë problem nuk e kishte evituar as në vitin 2023. Në bazë të dokumentit të siguruar nga Insajderi përmes qasjes në dokumente publike, inspektorati e kishte dënuar me 1,500 euro gjobë Frutex-in. Aty rikujtohet edhe vendimi i 2022-ës.

Inspektorati i MMPHI’së e kishte inspektuar edhe këtë vit Frutex-in. I kishte lëshuar raport zyrtar në për t’ia tërhequr vërejtjen për çështjen e lejes ujore. Edhe kësaj radhe, ishte neglizhuar inspektorati. Në shtator të këtij viti firma e Shaqir Palushit u dënua në vlerë prej 1.500 eurosh për këtë.

Andaj bazuar në gjendjen faktike të konstatuar,kompania SH.P.K “Frutex”, dhe personi përgjegjës i saj, kanë vepruar në kundërshtim me bazën ligjore te cekur ne preambulë te këtij aktvendimi, pra ushtrimin e aktivitetit pa Leje Ujore-valide me afat të caktuar kohor. Për shkeljet e konstatuara, Inspektorati i MMPHI-së, shqipton ndëshkimi me gjobë dhe atë ndaj: Kompanisë: SH.P.K “Frutex”, në vlerë prej 1.500,00 (njëmijë e pesëqind EURO e zero cent). Nga sa u tha më lartë u vendos si në diapozitiv të këtij vendimi”, thuhet ndër të tjera në aktvendim të këtij viti.

Pronari i kësaj frime, Shaqir Palushi, kishte deklaruar se është prodhuesi më i madh i kanaqeve në Ballkan, teksa në bazë të statistikave të firmës Golden Eagle, produktet e kësaj të fundit shiten gjashtë copë në sekondë.

Dosja e Prokurorisë për rastin e Naser Hafizit, thuhet se i pandehuri në cilësinë e zëvendës udhëheqësit të ARPL’së ka përllogaritur vetëm 127.40 euro detyrimet financiare për gati tri vite firmës Frutex.

Gjithashtu nga Vendimi Financiar, i datës 11.03.2022, është vërtetuar se i pandehuri Naser Hazifi, në cilësinë e zv. të udhëheqësit të ARPL-së, ka inicuar dhe nënshkruar këtë vendim me të cilin përllogaritja e detyrimit financiar për Operatorin Ekonomik FRUTEX, i cili si aktivitet ka prodhimin dhe ambalazhimin e lëngjeve freskuese, për periudhën kohore prej muajit Korrik të vitit 2019 deri në Dhjetor 2021, është në shumën prej 127.40 euro”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Dosja e Prokurorisë tutje thotë se kompanitë e ambalazhimit të ujit nuk i kanë raportuar asnjëherë të hyrat dhe të dalat, ashtu siç kërkon leja ujore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d