Komisioni Evropian ka konfirmuar sot se edhe zyrtarisht janë aprovuar Reformat e Agjendave për shtetet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim nga Bosnje e Hercegovina, duke e hapur kështu rrugën për kryerjen e pagesave të para.
Në njoftimin zyrtar të Komisionit Evropian, bëhet e ditur se pagesat do të bëhen dy herë në vit deri në vitin 2027, ndërkohë që për të marrë këto para janë disa kushte të përgjithshme dhe disa të veçanta që vlejnë vetëm për Kosovën dhe Serbinë.
Në këto parakushte përfshihet angazhimi konstruktiv në dialog dhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të dialogut, gjë që do të vlerësohet nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS).
“Parakushtet për ruajtjen e mekanizmave demokratikë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Një parakusht specifik vlen për Serbinë dhe Kosovën, të cilët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, duke përfshirë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të Dialogut, të cilat do të vlerësohen duke marrë parasysh rolin dhe kontributin e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm”.
“Pagesat do të bëhen dy herë në vit deri në vitin 2027, bazuar në kërkesat e paraqitura nga partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe verifikimin nga Komisioni të tre grupeve të kushteve”, thuhet në njoftimin e KE.
Komisioni sqaron tek hapat e radhës se plotësimi i parakushteve është çelësi që mundëson dhënien e parafinancimeve dhe Komisioni Evropian do të monitorojë një gjë të tillë para çdo pagese.
“Lëshimi i parafinancimit do t’i nënshtrohet hyrjes në fuqi të marrëveshjeve të lehtësisë dhe kredisë, si dhe do të jetë subjekt i respektimit të parakushteve, të cilat Komisioni do t’i monitorojë përpara çdo pagese”, sqaron Komisioni Evropian.