Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, dr. Lulzim Kamberi është deklaruar pas raportimit të dorëheqjes së djeshme, të raportuar nga Prishtina Soy.
Portali kishte konfirmuar se ndaj tij ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për shkak të cenimit të të drejtave në marrëdhënie të punës nga neni 218, lidhur me nenin 31 të Kodit penal 06/L-074 te Republikës së Kosovës.
Qendra Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), ishte njohur lidhur me inicimin e procedurës penale për drejtorin e Klinikës së Kardiologjisë dhe një shefit njësisë të po kësaj klinike.
Reagimi i plotë:
Dorëheqja. Ju njoftoj se pas periudhës, pak më të gjatë se 3 vjet, të drejtimit të Klinikës së Kardiologjisë dorëhiqem nga posti i drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë!
Arsyeja e dorëheqjes. Unë kam qëndruar dhe rezistuar ndaj të gjitha përpjekjeve (jo të pakta), organizimeve, mendësive, protestave, peticioneve, të motivuara dhe të incentivuara nga arsye të ndryshme, e që në fund do të përfundonin në pengim serioz të avansimit të Klinikës së Kardiologjisë.
Këtë qëndrim stoik e ndieja si obligim dhe si borxh ndaj gjeneratave të cilat kanë sakrifikuar gjithçka për ne si dhe ndaj gjeneratave të ardhshme!
Tani kur Klinika e Kardiologjisë “lundron” në ujëra më të qeta, do të tërhiqem nga posti i Drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë, në vetë përfundimin e mandatit me qëllim të përkushtimit më të lartë në punë profesionale.
Dorëheqja shpresoj të ndikoj në vetëdijësimin e shoqërisë për funksionalizim të mëtejmë.
Gjatë kësaj kohe u ndesha me shumë veprime institucionale dhe joinstitucionale të cilat duhen ndërruar si: jofunksionalitet i duhur (ligjor etj..), neglizhencë, manipulime, kapje, interpretime të shtrembëruara etj..
Po ashtu, disa herë nuk ka qenë në nivelin e duhur edhe mbështetja dhe koordinimi i veprimeve nga strukturat hierarkike, me përjashtime.
Arritjet. Me punë të kujdesshme e me angazhim të lartë, Klinika e Kardiologjisë në këtë periudhë, ka pasur jashtëzakonisht shumë suksese. Disa prej tyre as nuk e kisha menduar se mund të arriheshin deri në këtë nivel, në këto rrethana.
Qëllimi, përbetimi dhe përpjekja ime ka qenë zhvillimi i Klinikës së Kardiologjisë dhe fillimi i formimit të mendësisë tjetër afatgjate, progressive dhe zhvillimore.
Menaxhmenti i Klinikës, unanimisht që në fillim vendosëm si objektiv primar të çojmë para në kuptimin pozitiv të çdo gjëje të mundshme lidhur me përkujdesjen ndaj të sëmuarit në Klinikë. Për të arritur këte u përcaktuam për metodat e dëshmuara: pozitivitetin, tolerancën, respektin dhe disiplinën në punë. U përcaktuam poashtu për gjithëpërfshirje, shumëpërfshirje dhe mirëpërfshirje e të gjithë të punësuarve.
Duke vendosur të sëmuarin në qendër të vëmendjes, me angazhim të vazhdueshëm, durim dhe qëndrueshmëri arritëm rezultate të larta – suksese.
Disa nga këto janë listuar më poshtë:
Bashkimi i Klinikës. Klinika e Kardiologjisë ishte e ndarë (praktikë e panjohur në shëndetësitë e përparuara). Kjo ndarje ishte bërë pengesë e madhe në punë. Ndarja pengonte shumë vendimet e duhura që duheshin ndërmarrë për të sëmuarin, poashtu pamundësonte punën e kardiologëve të interesuar për punë në kardiologjinë invazive dhe pengonte edukimin dhe përditësimin e drejtë të kuadrove specializantë dhe specialistë.
Ndodhte që një kardiolog të indikonte hulumtim invaziv dhe tjetri i klinikës tjetër ta anulonte dhe të vendoste diçka tjetër duke krijuar konfundim te i sëmuri dhe duke mos ditur se kush ka të drejtë (komunikim i shkëputur për shkak të organizimit joadekuat).
Menaxhmenti i Klinikës punoi në organizimin e ri të klinikës (ribashkimin) e përcjellur me ndërrim të Statutit.
Gjysëmintensiva e Kardiologjisë repart i themeluar për herë të parë. Pas analizimit të gjendjes, e në të mirë të sëmuarëve përpilohet Rregullorja për Organizim të Brendshëm të Klinikës. Me të cilën parashihet të hapet për herë të parë në Klinikën e Kardiologjisë Reparti i Gjysëmintensivës së Kardiologjisë.
Në këtë repart mjekohen të sëmuarët më të rëndë që përveç patologjive të sistemit kardiovaskular kanë edhe prekje të shumë sistemeve tjera. Të cilat për shkak të kompleksitetit të tyre gjithnjë e më shumë paraqesin nevojë për themelim të patologjisë së përbashkët. Këta të sëmuar mbikqyren nga personeli shëndetësor në vazhdimësi sipas tipit të hapur, duke i përcjell parametrat vitale dhe jo vetëm këta por, edhe shumë parametra të tjerë me monitor individual dhe me monitor qëndror.
Themi se është krijuar një “fushë” e posaçme ose një përvojë e re shumë produktive në Klinikën e Kardiologjisë pas themelimit të këtij reparti.
Shumë jetë janë shpëtuar si dhe shumë vuajtje janë shuar falë themelimit të këtij reparti.
Themelimi i Elektrofiziologjisë. Në këtë periudhë dy mjekë dërgohen për trajnim jashtë shtetit për të implementuar metodat e studimit dhe trajtimit elektrofiziologjik. Pas kësaj, për kohë të shkurtër për herë të parë në shëndetësinë Kosovare (në Klinikën e Kardiologjisë) kryhen studimet elektrofiziologjike (nën mbikqyrje) dhe arrihet që të sëmuarët të mos dërgohen më për trajtim jashtë vendit për këto procedura tejet delikate dhe të kushtueshme.
Me këtë mundimet e të sëmuarëve për të kërkuar qendra për t’i realizuar këto procedura, të udhëtojnë (zakonisht jo të vetëm) të shpenzohen dhe poashtu të shpenzohet enorm buxheti i shtetit arrihen të ndërpriten.
Poashtu kuadrot nga Klinika jonë avansohen si dhe mjekët e rinj edukohen pa pasur nevojë të dalin të edukohen për këtë pjesë të specializimit, jashtë vendit.
Korigjimi i defekteve interatriale. Për herë të parë nëShëndetësinë Kosovare (në Klinikën e Kardiologjisë) fillon mbyllja e defektit interatrial (nën mbikqyrje të ekseprtit nga jashtë). Me këtë ndërpritet nevoja për dërgim jashtë vendit e të sëmuarëve me këtë patologji duke kursyer të sëmuarët si nga mundimet poashtu edhe nga shpenzimet si dhe kursehet buxheti i shtetit.
Mbështetja e qendrës së Kardiologjisë Invazive në Prizren. Pas investimit në formë donacioni nga Qeveria e Luksemburgut në Kardiologji invasive në Prizren, Klinika e Kardiologjisë vihet në lëvizje si për implementimin sa më të shpejtë të kësaj aparature poashtu edhe në edukimin e kuadrit nga Spitali i Përgjithshëm në Prizren.
Në klinikën e Kardiologjisë qëndrojnë 2 mjekë dhe 2 infermierë nga SR i Prizrenit për shkollim në lëmin e kardiologjisë invasive. Aktualisht mjekët e Klinikës së Kardiologjisë vazhdojnë të jenë bartës të punës në Kardiologjinë Invasive të Prizrenit.
Në SP të Prizrenit, Shërbimi i Kardiologjisë invasive filloi me punë, pas një angazhimi të lartë të Klinikës së Kardiologjisë, në qershor të vitit 2024 si një ndër sukseset tejet të rëndësishëm për shëndetësinë Kosovare.
Shërbim u përurua nga Kryeministri i Kosovës Z. Albin Kurti.
Përkujdes i shtuar në edukimin e kuadrove të reja. Nga fillimi në Klinikën e Kardiologjisë përcaktohen linjat e qarta të kujdesit të shtuar në edukimin e kuadrove të reja si, studentë, specializantë, nxënës etj.. Të gjithë këta varësisht nga detyrat e tyre, kanë pasur qasje të plotë në nxënien e njohurive të reja duke respektaur rregullat dhe kushtet e punës.
Poashtu nga Klinika e Kardiologjisë janë organizuar ligjerata të rregullta të cilat mbahen në Qendrën e Telemjekësisë Kombëtare në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional. Ligjeratat janë të akredituara nga Oda e Mjekëve e Kosovës (OMK).
Rekordet e punës. Viti 2023 ishte vit i rekordeve për Klinikën e Kardiologjisë. Numri i koronarografive, numri i stentimeve, procedurat komplekse, ekokardiografitë transtorakale, ekokardiografitë transezofageale, numri i aparaturave të implantueshme elektrostimuluese intrakardiake, numri i vizitave në ambulancat specialistike, numri i të hospitalizuarëve e shumë të tjera ishin rekord krahasuar me vitet tjera.
Të gjitha këto rezultate (suksese) të detajuara u prezentuan në QTK ku prezent përveç strukuturave të larta shëndetësore dhe të tjera ishte edhe Ministri i Shëndetësisë Z.Arben Vitia.
Për shkak të sukseseve rekorde Klinika e Kardiologjisë përzgjidhet për vizitë festive të fundvitit (v. 2023) nga Presidentja e vendit, Znj. Vjosa Osmani.
Klinika e Kardiologjisë shtëpi mjekimi për të gjithë banorët e Republikës së Kosovës. Në këto vite nga një numër fare simbolik i të sëmuarëve joshqiptar (serb në radhë të parë), që kishin kërkuar trajtim në Klinikën e Kardiologjisë arrihet në rritje të numrave në qindra duke tejkaluar të gjitha barrierat dhe paragjykimet eventuale.
Siç ka konstatuar themeluesi i mjekësisë modern, Sir William Osler (v. 1849): “Mjeku i mirë shëron sëmundjet, mjekët shumë të mirë (të mëdhenjtë) shërojnë njerëzit që kanë këto sëmundje”.
Kjo ishte udhërrëfyesi i Klinikës së Kardiologjisë, të vendosur dhe të përbetuar për t’i shëruar njerëzit e sëmurë.