Një rast i rëndë ndodhi të martën në mbrëmje, në Prizren, ku një person u dërgua pa shenja jete në spitalin rajonal. Viktima është shtetas i huaj dhe për vdekjen e tij tashmë kanë nisur hetimet. Rasti është denoncuar edhe nga Policia në Prizren, ndërkohë janë zbuluar detajet.
Siç merr vesh gazeta, bëhet fjalë për një shtetas turk, i moshës 60-vjeçare, vdekjen e të cilit e konfirmoi ekipi mjekësor në spital.
Bazuar në informacionet e para, i ndjeri kishte ardhur për punë në Kosovë dhe rasti ndodhi afër kompanisë ‘Rizami Holding’ në fshatin Krushë e Vogël.Të njëjtit i ishte përkeqësuar gjendja dhe menjëherë është dërguar në spital, por nuk mbijetoi.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, me ç’rast janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
Sinjali ka kontaktuar edhe pronarin e kompanisë ‘Rizami Holding’, i cili tha se i ndjeri kishte shkuar atje për një mundësi bashkëpunimi, por më pas e kanë njoftuar se është dërguar i vdekur në spital.