Përfitues të subvencionit në vlerë prej katër mijë euro për renovimin e shtëpive nga radhët e komunitetit pakicë prej komunës së Ferizajt janë ankuar në ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin. Ata po e akuzojnë se nuk ua ka ekzekutuar paratë, përkundër se janë përfitues të subvencionit të dalë nga MAPL’ja gati tash e një vit.
Në një postim që ka publikuar ish-deputeti Veton Berisha nga radhët e komunitetit pakicë, paralajmërohet kallëzim penal në rast të mos-ekzekutimit të shumës së përfituar përbrenda dy javësh, shkruan Insajderi.
“KËRKESË publike për Ministrin Elbert Krasniqin, deputetin Lala dhe këshilltarët e tij për kryerjen e PAGESËS prej 4000 euro për përfituesit e subvencionit për renovimin e shtëpive për familjet nga të gjitha komunat e Kosovës!
Ministër Krasniqi dhe ju struktura të IRDK-SË mjaft me MASHTRIME e me DALLAVERE!
Nuk është e ndershme me lujt me fatin e fukaras!
Keni afat DY JAVË nga sot për kryerjen e pagesës nese nuk e bëni do të ngritet Kallxim Penal dhe Padi drejtuar juve dhe MAPL-SË që ju e drejtoni!”, ka shkruar ai, teksa ka bashkëngjitur edhe kontratën që dëshmon se të dëmtuarit kanë nënshkruar kontratë për subvencion.