Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, tha se nuk ka asnjë njoftim për ndonjë takim të ardhshëm në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se nuk dëshiron të komentojë mbi spekulimet se një dialog i nivelit të lartë mund të zhvillohet së shpejti.
“Së pari, ne kurrë nuk komentojmë ndonjë spekulim dhe së dyti, nuk ka asnjë njoftim që mund të bëj për ndonjë takim të ardhshëm në kuadër të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së”, tha Stano në një konferencë për shtyp në Bruksel, i pyetur për të komentuar spekulimet se mund të ishte arritur një pajtim për takim të nivelit të lartë politik, në kuadër të dialogut.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha më 6 tetor se do të punojë në përgatitjen e takimit të ardhshëm mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Ai theksoi se do të dëshironte që takimi të ndodhte në javët në vijim.