Ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq është rrahur brutalisht të shtunën në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës. Sot pritet të paraqitet në polici.
Rasti po tentohet të fshihet nga Policia e Kosovës.
Siç ka mësuar Insajderi, Rakiq pritet të mohojë së është rrahur për shkak të frikës nga krye-terroristi Milan Radoiçiq.
Ai ka kërkuar ndihmë mjekësorë në spital, por rasti po tentohet të fshihet në të gjitha institucionet gjegjëse.
Kush e rrahu Rakiqin?
Personi që e rrahu është Goran Vuçetiq.
I njëjti siç ka mësuar Insajderi pritet të deklarohet sot në Polici, më saktë që nuk do ta pranojë fajësinë.
“Sot do ta jap deklaratën personi që e rrahu Goran Rakiqi. Ai nuk ka me pranu që e ka kryer sulmin”, i tha ky burim Insajderit.
Theksojmë se Goran Vuçetiq është vëllai i Vladimir Vuçetiq, i akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Autoritetet kosovare patën siguruar informacione për Vladimir Vuçetiqin. Ai është pjesëtar i “Mbrojtjes Civile” dhe i “Brigadës së Veriut”, organizata që Kosova i ka shpallur terroriste. Policia ka gjetur prova në vendin e krimit, që dëshmojnë përfshirjen në sulm.
Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të akuzuarit me veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpërndarja e parave”.