Naim Murseli bashkë me Granit Plavën dhe Kushtrim Kokollën do të mbahen në paraburgim për një muaj, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, gruas së Naimit. Ky i fundit ka qenë ndër personat më të afërt të Behgjet Pacollit në politikë. Megjithatë, ai rezulton të jetë fuqizuar në botën e biznesit nga ‘Baci’.
Platforma ‘Kërko.com’, figuron të jetë në pronësi të Naim Murselit, Valdrin Pretenit (bashkëpunëtor i Murselit në Suedi). Ndërkaq, pronar dikur figuronte edhe Valon Llukës (biznesmen i afërt me Behgjet Pacollin). Kështu të paktën thuhet në plaformën e Bizneseve të Hapura, e cila gjeneron të dhënat e ARBK-së.
Në uebfaqen zyrtare, thuhet se 80 për qind të aksioneve i ka Naim Murseli, ndërkaq 20 për qind të tjera Valdrin Preteni.
Platforma gjeti mbështetje të fortë financiare, nga Pacolli.
“Unë e kam promovuar prej kohësh rëndësinë e mbështetjes së të rinjve të Kosovës, krijimtaria e tyre është e paçmuar dhe diçka nga e cila vendi do të përfitojë në të ardhmen. Prandaj, kam kënaqësinë të prezantoj Kerko.com, të cilin zgjodha ta mbështes në fazën e hershme, dhe në të cilën besova dhe sot është realitet. Një platformë që bashkon të gjitha kompanitë e pronarët e Kosovës në një faqe. Gjetja e numrit të telefonit, adresës dhe orarit të punës së një biznesi nuk ka qenë asnjëherë më e lehtë se sot. Suksese stafit të platformës Kerko.com”, shkruante Pacolli në korrik të këtij viti.
Për ndihmën financiare që ia kishte dhënë Pacolli, Murseli shprehte fjalë nga zemra.
Se e kishte ndihmuar të fuqizohej si biznesmen në Kosovë Pacolli e kishte konfirmuar edhe dje në një reagim të tijin në ‘Facebook’.
“Naim Murselin e njoh prej vitesh, duke filluar nga momenti kur ai m’u ofrua si adoleshent, pas një sëmundje qe kishte perjetuar. Ai ka qenë pjesë e entourazhit tim që nga atëherë. Ndër vite, ka shfaqur interes për iniciativat e mia në median sociale dhe kam pasur mundësinë të ndihmoj në disa iniciativa biznesi që ai kishte nisur që nga viti 2019”, deklaroi dje Pacolli.
Biznesi i Murselit figuron të jetë aktiv që nga 28 prilli i këtij viti. Sipas përshkrimit që iu është bërë në uebfaqe, kjo platformë prezantohet si “platforma më e mirë për të gjetur informacione të dobishme dhe të sakta për bizneset në Kosovë”.
Në një kërkim në këtë uebfaqe, tek pjesa e hoteleve i pari që prezantohet është ‘Swiss Diamond Hotel’, ku sipërmarrës i saj është vetë Pacolli.
Kush është Valon Lluka, ‘krahu i fortë’ i Pacollit që e mbështeti Naim Murselin?
Lluka ka të hapura disa fabrika bashkë me Pacollin. Babai i tij, Masar Lluka, ishte pjesë e strukturave të AKR-së në Gjakovë.
Llukës iu kishte besuar edhe përfaqësia e konsorciumit të kompanive ‘Mabco Construction’ (pronësi e Pacollit) në partneritet me kompaninë turke ‘Yda Group’ për Aeroportin e Vlorës. Kompania turke shiti aksionet e veta, e më pas kaloi tërësisht në pronësi të Pacollit.
Përfaqësuesi i kompanisë koncesionare, Valon Lluka, kishte deklaruar se firma turke u largua nga projekti pasi nuk iu përgjigj investimit të premtuar.
Lluka është kryeshef i ‘Mabetex Group’, kryetar i bordit të kompanisë së sigurimeve ‘Siguria’, të gjitha këto nën pronësin e Pacollit.
Valon Lluka është vëllai i dikur ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Llukës.
Çka mori vendim sot gjykata për Naim Murselin dhe dy të dyshuarit tjerë?
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji të pandehurit Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokollës për vrasjen e Liridona Ademajt në Sinidoll të Prishtinës me 29 nëntor.
“Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e kësaj mase kundër të pandehurve, andaj gjykata ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin“, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Naim Murseli dyshohet për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në bashkëkryerje‘, Granit Plava për veprën penale ‘Vrasje e rëndë‘ dhe veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve‘ dhe i pandehuri Kushtrim Kokolla për shkak të veprës penale ‘Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë‘.
Gjykata Themelore në Prishtinë në njoftimin për përcaktimin e masës së paraburgimit për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokollën jep detaje tronditëse për mënyrën se si dyshohet të jetë orkestruar vrasja e Liridona Ademajt.
Sipas njoftimit të gjykatës, Naim Murseli dyshohet t’ia ketë dhënë armën Granit Plavës, ku i njëjti e ka privuar nga jeta duke i dhënë një plumb në qafë tashmë të ndjerës Liridona Ademajn.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes…”, thuhet në njoftim.
“…ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, vijon njoftimi.
Gazeta përgjatë së dielës ka raportuar ekskluzivisht nga Pallati i Drejtësisë, aty ku mbahej gjykimi për tre të dyshuarit. Artikujt prej ngjarjeve atje mund t’i gjeni më poshtë: