Deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku ka braktisur partinë e Albin Kurtit duke iu bashkuar LDK-së së Lumir Abdixhikut, shkruan Prishtina Sot.
Për aderimin e saj në LDK ka njoftuar vet Abdixhiku përmes një shkrimi në Facebook.
“Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Drita Millaku, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo i bashkohet familjes sonë politike në rrugëtimin e përbashkët që na pret përpara. Ky vendim i saj për të qenë pjesë e radhëve tona është jo vetëm një dëshmi e përkushtimit të saj politik, por gjithashtu një tregues i qartë se vizioni dhe programin i LDK-së për Republikën, është i duhuri sot“, shkroi ai në Facebook.
“Si një figurë e respektuar në Prizren dhe një deputete e mandatuar për dy herë, ajo na vjen si aset i rëndësishëm partiak, dhe si kuadër për programin tonë politik dhe të ardhmen e vendit tonë. Me Dritën kemi diskutuar gjatë për vizionin tonë të përbashkët për Republikën; për arsimin në veçanti, për programin tonë politik dhe të ardhmen e vendit tonë. Drita ka një pasion për librin, por edhe për të krijuar mundësi për të rinjtë dhe gratë në Kosovë. Ajo e kupton rëndësinë e bashkëpunimit dhe e sheh ndërtimin e një rrugëtimi të përbashkët si një mënyrë për të realizuar ndryshime të qëndrueshme, ato që sot LDK po i ofron. Besimi i saj në potencialin e Kosovës, së bashku me përkushtimin e saj për arsim janë motive që e bëjnë Dritën tejet të rëndësishme në këtë proces“.
Abdixhiku ka shkruar disa fjalë edhe për shkollimin e deputetes.
“Drita Millaku shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Prizren. Fakultetin Filologjik, Dega: “Gjuhë dhe Letërsi Shqipe” e kreu në Universitetin e Prishtinës ku edhe mori titullin, “Magjistër e Shkencave Filologjike”. Për një dekadë rresht punoi në bibliotekën e qytetit të Prizrenit. Në vitin 2013 ajo është zgjedhur asambleiste në Kuvendin Komunal të Prizrenit. Në vitin 2017, 2021, fitoi mandatin e deputetes si grua më e votuar në Prizren. Drita Millaku është e martuar me Fisnik Millakun dhe ka dy djem Longarin dhe Lumin“, përfundon shkrimi i tij.