Një zyrtare policore është plagosur sot nga një zyrtar tjetër policor, në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë, raporton Gazeta Prishtina Sot.
Lajmin e ka konfirmuar IPK dhe ka bërë të ditur se incidenti dyshohet se ka ndodhur aksidentalisht. Polici i dyshuar është suspenduar, ndërsa policja e lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.
Gjendja e polices së plagosur është stabile dhe ajo është duke u trajtuar në Ortopedi, për shkak se ‘copa e gëzhojës së plumbit e ka prekur në këmbë’.
“Po, është pranuar dhe trajtuar tek ne në QE, pas ekzaminimeve të nevojshme dhe trajtimit është transferuar në Klinikën e Ortopedisë për vazhdim të trajtimit”, ka thënë drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla.
Ndërkaq, IPK ka njoftuar se incidenti ka ndodhur si pasojë e shkrepjes aksidentale të armës së zjarrit në objektin e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë.
“Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbi ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK)”.
“Arma e zjarrit është konfiskuar, ndërsa zyrtari policor që shkaktoi aksidentalisht shkrepjen është suspenduar. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.