Inspektorati Policor i Kosovës ka dal me një komunikatë, pasi në Stacionin Policor-Jugu në Prishtinë ka ndodhur një incident, ku një zyrtar policor ka plagosur aksidentalisht kolegen e tij në këmbë.
Tutje thuhet se zyrtarja policore është dërguar për trajtim mjekësor.
“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar sot në orët e mëngjesit nga Policia e Kosovës për një incident shkrepje aksidentale të armës së zjarrit në objektin e Stacionit Policor-Jugu në Prishtinë. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbi ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).
Arma e zjarrit është konfiskuar, ndërsa zyrtari policor që shkaktoi aksidentalisht shkrepjen është suspenduar. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti