Krimet Ekonomike kanë zhvilluar të enjten aksion në shumicën e pikave të rrjetit të laboratorëve dhe poliklinikave ‘Avicena KS’ në Kosovë, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim të dokumenteve dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike. 19 lokacione u mbyllën, 5 rezultuan që s’janë aktive, ndërsa 9 të tjera do të vazhdojnë punën me masat e shqiptuara.
Siç ka mësuar gazeta, në dosjen për këtë rast thuhet se hetimet kanë filluar qe disa muaj dhe kanë përfshirë edhe zbatimin e masave të veçanta hetimore që kanë rezultuar me sigurimin e provave për veprimtari të kundërligjshme.
Burimet e njëjta kanë bërë me dije se pronarët e ‘Avicenca KS’, dyshohet se kanë nxjerrë raporte të analizave mjekësore dhe certifikata për patentë shofer jashtëligjshëm, ku si rrjedhojë janë prodhuar dokumente që nuk kanë pasur të dhëna të sakta.
Për pasojë, dosja e hetimit thekson se me lëshimin e dokumenteve të tilla, është rrezikuar edhe jeta e qytetarëve, të cilët janë pajisur me këto raporte.
Siç merr vesh Sinjali, si të dyshuar për rastin janë intervistuar katër persona. Pas përfundimit të procedurave, të njëjtit janë lënë të lirë, ndërsa hetimet për rastin do të vazhdojnë.
Ndryshe, gjatë kontrolleve në 36 lokacione, si prova materiale, janë gjetur dhe sekuestruar: tri pistoleta, 6 copë armë të gjata, 598 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, një telefon, 2 shtëpiza kompjuteri, 7 DVR dhe dokumente të ndryshme, njoftoi sot Policia.