Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë tregoi për vizitën që pati në mëngjes në Leposaviq ku shkoi bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Sapo erdhëm nga Leposaviqi me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, meqenëse në Leposaviq do të qëndrojë për dy ditë mamografi për kontroll për vajza dhe gra, për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit”.
Ai tha se ky mamograf do të shkojë në çdo komunë të Republikës sonë.
“Ky muaj është thirrje për ngritjen e vetëdijes rreth kancerit të gjirit. Mamografi do të vazhdojë për Viti, ndërsa ka qenë edhe më herët në Mitrovicë të Veriut”.
Kurti tha se kanë vizituar edhe një objekt që do të mund ta shndërrojnë në maternitet për gratë nga Leposaviqi.
“Bashkë me ministrin Vitia pamë nga afër edhe një objekt, një ndërtesë për ta vlerësuar mundësinë e kthimit të saj në maternitet që i plotëson nevojat e grave nga Leposaviqi në mënyrë që ato të mos kenë nevojë për të kaluar kufirin e për të udhëtuar me dhjetëra kilometra deri në Novi Pazar e ku më pastaj po ia regjistrojnë foshnjat si banorë të Serbisë”.
Ai tha se atje ishte edhe kryetari i komunës, Lulzim Hetemi, nënkryetarja Marina Bogojonoviq dhe drejtorja e shëndetësisë, Marina Zdravkoviq.