Ekskluzive: Dosja për aktivitetin kriminal te ‘Pallati i Rinisë’, ud i drejtorit ia transferoi vetes mbi 94 mijë euro

 

 

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale ka zhvilluar të hënën një operacion policor brenda ndërmarrjes publike “Pallati i Rinisë” në Prishtinë, që rezultoi me të arrestuar pas hetimeve disa mujore. Krimet Ekonomike kanë prangosur dy persona nën dyshimet për keqpërdorime të fondeve gjatë vitit 2022.

Siç merr vesh gazeta bëhet fjalë për Astrit Zogianin dhe Faton Rrustemin, të cilët janë dërguar në mbajtje për 48 orë me urdhër të prokurorit të PSRK.

Zogiani dhe Rrustemi dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Përvetësimi në detyrë”.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se në dosjen për këtë rast thuhet se Zogiani gjatë vitit 2022, nga llogaria e ndërmarrjes, duke shfrytëzuar pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv dhe drejtorit të Financave, ka transferuar në llogarinë e vet mbi 94 mijë euro.

Po ashtu, ai dyshohet se te i dyshuari tjetër Rrustemi, zyrtar në këtë ndërmarrje, i ka transferuar mbi 13 mijë euro kundërligjshëm.

Të njëjtat burime thonë se nga provat që janë siguruar dhe nga procesi i hetimit u zbulua se në total, ndërmarrjes i është shkaktuar dëm mbi 107 mijë euro.

Gjatë aksionit për arrestimin e tyre është kryer kontroll i detajuar në ambientet e punës së të dyshuarve, ku janë sekuestruar dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore, një armë zjarri me 10 fishek, si dhe dy telefona.

Nga Policia dhe Prokuroria Speciale kanë bërë me dije se hetimet do të vazhdojnë për të identifikuar çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Shënim: Personat apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d