Posedimi dhe përdorimi i armëve të zjarrit është shndërruar në dukuri negative në vendin tonë, pasi vazhdimisht hasen persona të cilët mbajnë me vete ato. Për pasojë, shumë shpesh ndodhin incidente, madje edhe aksidentale.
Një rast i tillë ka ndodh edhe në bjeshkën e Lumbardhit në Levoshë të Pejës, ku një person dyshohet se ka plagosur veten aksidentalisht me armë zjarri.
Burimet e Gazetës kanë bërë me dije se viktima e cila ka marrë plagë në dorë fillimisht është trajtuar në Spitalin e Pejës, e më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme.
Në cilësinë e provave materiale, Policia ka konfiskuar një armë me 17 fishekë për të cilën i dyshuari posedon leje për shenjëtari, por jo për bartje.
Me urdhër të prokurorit, rasti është proceduar në procedurë të rregullt.