Heronjtë e vitit që mbrojtën Kosovën, por që u braktisën nga Albin Kurti

 

 

Mëngjesi i hershëm i 24 shtatorit ishte një ditë e vështirë për Kosovën. Dhjetëra serbë të armatosur deri në dhëmbë, të udhëhequr nga Milan Radojçiq, sulmuan Policinë e Kosovës.  Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra nga terroristët serbë. Ata u mbyllën në Manastirin e Banjskës, prej ku vazhduan sulmet mbi policët e Kosovës.

Me profesionalizëm të madh, policët kosovarë e zmbrapsën sulmin terrorist dhe askush nga civilët e pelegrinët nuk u lëndua. Rrjetet sociale u mbushën me fotografi të policëve që e mbrojtën Kosovën, duke u quajtur heronjtë e Republikës.

Por, jo shumë larg pas sulmit, heronjtë e Republikës kërkuan përmirësimin e kushteve të punës dhe pagesën e shtesës për rrezikshmëri.

Kërkesat e tyre nuk u morën fare parasysh nga kryeministri Albin Kurti, i cili i terrorizon çdo ditë qytetarët me paralajmërime për luftë.Për herë të parë, policët elitarë të Kosovës u detyruan të dalin dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre në protestë.

Njësia Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës dhe ajo për Eksploziv dhe Deminim, më datë 1 nëntor, si çdo ditë veshën uniformën, por atë ditë jo për t’u përballur me kriminelët, por për t’i kërkuar të drejtat e tyre.

Megjithatë, përveç që nuk morën përgjigje për kërkesat e tyre, ata u sulmuan nga kryeministri Kurti dhe ministri Xhelal Sveçla, duke thënë se kanë paga shumë të larta, duke mos llogaritur fare që për pagën që morën për pak muaj, ata punuan nga 700 orë në muaj.

Ditë më pas, ata mezi u pritën nga Kurti. Në atë takim u raportua se Kurti bisedoi me policët me tone të ashpra, por Qeveria nuk ua plotësoi kërkesat heronjëve të Banjskës.

Policët e FIT dhe njësi të tjera të Policisë protestuan sërish edhe më 9 dhjetor. As kësaj here kërkesat e tyre nuk u morën parasysh.

Tri ditë pas protestës së Njësitit Intervenues Special dhe Sindikatës së Policisë, ata dolën më 14 kërkesa.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, thotë se janë duke pritur që të ftohen në takim nga ana e Qeverisë. Ai pohon se nëse nuk ka ndonjë reagim nga Qeveria, do të bëjnë vetë ftesën për takim.

“Deri më sot nga ajo ditë nuk kemi pasur komunikim, pra nuk kemi pasur ndonjë ftesë. Ne po mendojmë të u dërgojmë një ftesë për takim dhe të diskutojmë rreth kërkesave”, u shpreh ai.

Zeqiri thotë se policia ka disa pakënaqësi lidhur me kushtet e punës dhe nuk është vetëm ana financiare.

“Në realitet shtesat kanë qenë shumë të ulëta dhe kjo ka qenë pakënaqësia në përgjithësi, por ka pasur edhe pakënaqësi tjera, nuk është vetëm ana financiare, janë edhe disa kushte tjera që i kemi paraqitur. Këto kërkesa kanë qenë të kahershme dhe nuk kanë lindur vetëm atë ditë. Po shpresojmë që do të ulemi dhe të bisedojmë e të vendosim prioritete sesi të merremi vesh se cilat nga kërkesat do ta realizohen, varet nga Qeveria”, theksoi ai.

Zeqiri deklaroi se shpreson që viti 2024 do t’i gjejë në kushte më të mira policët e Kosovës.

Më poshtë kërkesat e paraqitura të Policisë së Kosovës:

1. Përmirësimi i kushteve, veshmbathje, mjete të punës, objektet policore dhe pajisjet tjera;

2. Rrezikshmëria për policët të jetë permanente dhe të mos varet nga një vend, dhe shtesat të jenë 25 deri 50 përqind e pagës bazë dhe të formohet komisioni i cili do të bëjë kategorizimin e shtesave;

3. Përfshirje e njësive të caktuar në tregun e punës;

4. Ligji për pensionim në moshën 55 vjeçare;

5. Sigurimi jetësor dhe rritja në fondin shëndetësor;

6. Invaliditeti, policë të cilët janë lënduar gjatë kryerjes zyrtare;

7. Përfshirja e stafit civil në shtesat për punë specifike;

8. Shujta ditore për të gjithë pjesëtaret, jo në mënyrë selektive;

9. Pagesa e udhëtimit të atyre që udhëtojnë larg;

10. Shtesat për fundvit, për ata që kanë treguar performance të mirë gjatë vitit;

11. Rikthimi i përvojës së punës siç ka qenë, dhe njohja e shkollimit;

12. Të rikthehen tri paga përcjellëse për ata që pensionohen;

13. Të lejohet një pagë për policët që mund të kenë një rast vdekje në familje;

14. Përkujdesje për mirëqenien e pjesëtarëve të policëve, për ata që kanë rënë gjatë detyrës zyrtare;

Protesta publike është zgjedhur si opsion vetëm pas muajsh prezantimi të problemeve brenda strukturave dhe premtimeve të Qeverisë se do të merren parasysh kërkesat e tyre.

FIT/NjSI, që u themelua në vitin 2007, kryen operacione të sigurisë në raste të veçanta dhe zgjidhjen e situatave me të cilat nuk mund të përballen njësitet tjera të policisë.

Është grupi më i vogël në polici për nga numri i anëtarëve, por grupi më profesional dhe efikas. Ata angazhohen në rastet kur përmbushja e detyrave zyrtare të mbrojtjes së jetës dhe pasurisë paraqet rrezikshmëri tejet të lartë për rendin dhe sigurinë në përgjithësi dhe për pjesëtarët e policisë.

Ata bëjnë reagime të shpejta dhe profesionale, por për shkak të zhvillimeve në vitet e fundit në Veri të Kosovës, kanë marrë edhe role të tjera si menaxhimin e situatave të rrezikshme atje, patrullimin dhe kontrollimin në zona të rrezikshme.

NjSI shpesh portretizohet si krenaria e shtetit dhe shëmbëlltyrë e zhvillimit dhe profesionalitetit të organeve të Kosovës.

Në përgjithësi, Policia e Kosovës në sondazhe del si një nga institucionet më të besueshme dhe më të respektuara për qytetarët e Kosovës. /Prishtina Sot/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d