Ambasada Amerikane u ka bërë thirrje të gjitha palëve politike që të angazhohen në dialog konstruktiv.
Në një reagim të ashpër në faqen zyrtare në Facebook, pas djegies së karrigeve nga deputetët demokratë dhe përplasjet fizike me ata të maxhorancës, ambasada theksoi se akte të tilla s’kanë vend në procesin demokratik
“Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik.
Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë. Mbështesim diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah institucioneve shqiptare teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euro-atlantike”, ka shkruar Ambasada.
Seanca e një dite më parë u përfshi nga tensione mes maxhorancës dhe opozitës. Deputetët demokratë morën karriget e tyre në salle dhe i nxorën ne oborr ku u vunë flakën.
Ky aksion vijon pas dënimit me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji për akuzën e kallëzimit të rremë.
Opozita gjithashtu ka vendosur të bojkotojë të gjitha komisionet qe prej ditës së djeshme, ndërsa më 7 tetor do të nisë vala e protestave.