Liberalizimi i vizave rrugë e hapur për migrim, Kosova në krizë të stafit mjekësor

300 mjekë kanë lënë vendin e tyre të punës pa asnjë zëvendësim tjetër, për shkak se pjesa më e madhe e mjekëve të diplomuar e specialistë nuk kanë interes për të punuar në spitalet në Kosovë, derisa 80% e mjekëve janë të papunësuar pasi kushtet e punës të cilat ofrohen nuk lënë për të dëshiruar. E njëjta situatë shqetësuese, është edhe me infermierët, të cilët po marrin diplomat e po nisen për migrim jashtë vendit, për një punë me kushte më të mira.

Sistemi shëndetësor në Kosovë për një kohë shumë të afërt do të ballafaqohet me një krizë serioze të stafit mjekësor, deklarojnë nga Oda e Mjekëve (OMK) dhe Oda e Infermierëve në Kosovë (OIK). Sipas tyre, deri më tash nuk janë marrë seriozisht kërkesat dhe kushtet në të cilat punojnë stafi mjekësor.

Kryetari i Odës së Mjekëve në Kosovë, Pleurat Sejdiu, për KosovaPress ka thënë se çështja e largimit të mjekëve tashmë në pesë vjetët e fundit është në rritje dhe se 8% e masës së mjekëve që ka Kosova, janë në largim e sipër.

Po ashtu, Sejdiu tha se arsyeja e migrimit të mjekëve nuk qëndron te pagat, sipas tij në vend të parë është papunësia dhe kushtet e punës. Sipas tij, nëpër klinikat në Kosovë nevoja më e madhe qëndron tek anesteziologët  dhe se për shkak të mungesë së mjekëve shumë sektorë është dashur të mbyllen.

Kryetarja e Odës së Infermierëve në Kosovë, Nexhmije Gora, thotë se infermieria në vend ka shumë pakënaqësi, duke filluar nga pagat e ulëta e deri te mos pagesa e vikendeve. Sipas saj, infermieria po studiohet vetëm për migrim jashtë vendit e jo për punësim.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, njëherësh anëtar i Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Bekim Haxhiu, 2023-ën e cilësoi si vit të dështimit në sektorin e shëndetësisë. Ai thotë se qeveria aktuale nuk ka ditur të menaxhojë kërkesat e shëndetësisë dhe se kjo situatë nuk mund të përmirësohet.

Sipas tij, liberalizimi i vizave do t’u japë mundësi mjekëve dhe infermierëve të gjejnë punë në spitalet evropiane./KP

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d