Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjete sociale shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë. Ata jo rrallëherë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale, tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit.
Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në fshatin Shakovicë të Podujevës, por këtë herë i dyshuari është i moshës së mitur.
Gazeta mëson se bëhet fjalë për një 15-vjeçar, i cili përfundoi në Polici pasi u zbulua se posedonte armë ilegale, e të cilën e kishte postuar në rrjete sociale.
Pasi Policia siguroi pamjet, i dyshuari u intervistua lidhur me rastin, në prani të prindit të tij, kurse arma u konfiskua nga zyrtarët policorë.
Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.