Kur një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri fajtor kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në sulmin e 24 shtatorit, 2023, u vra polici kosovar, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Vuçiq tha atëkohë se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”, dhe mohoi se Serbia kishte gisht.
“Albin Kurti është fajtori i vetëm. Albin Kurti është i vetmi që do konflikt dhe luftë. Askush tjetër nuk do konflikt dhe luftë përveç Albin Kurtit. Dëshirë e tij jetësore është të na fusë në luftë me NATO-n dhe ai dëshirë tjetër nuk ka”, tha Vuçiq në ditën e sulmit.
Kurti, i cili e ka bërë kontrollin e zonave me shumicë serbe të Kosovës element kyç të politikës së tij, fajësoi udhëheqjen shtetërore të Serbisë, duke thënë se sulmi është organizuar me mbështetjen e saj.
Vuçiq u zotua se Serbia do t’i hetojë të dyshuarit, ashtu si edhe origjinën e armëve që policia e Kosovës konfiskoi pas sulmit.
Një vit pas, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd thotë se hetimet janë duke vazhduar; nuk ka ndonjë aktakuzë të ngritur dhe biznesmeni serb nga Kosova, Millan Radoiçiq, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin, besohet se është i lirë në Serbi.
Maja Bjellosh, hulumtuese në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë, thotë se pavarësisht peshës që ka sulmi, autoritetet në Serbi “nuk duan që të zbulohen e vërteta dhe përgjegjësia”.
Sipas saj, publiku në Serbi e di se Radoiçiq është i afërt me pushtetin. Ai është parë në disa takime të Vuçiqit me përfaqësues të serbëve nga Kosova, ndërsa kompanitë e tij janë angazhuar në projekte të ndryshme infrastrukturore në Serbi.
“Nëse Radoiçiq nuk akuzohet dhe hetimet për Banjskën nuk përparojnë, atëherë mund të themi se ai, në njëfarë mënyre, gëzon mbrojtje nga shteti. Në momentin kur Radoiçiq dhe bashkëpunëtorët e tij të gjykohen, kur pronat t’i konfiskohen, kur të ketë distancë të qartë mes pushtetit dhe punëve që bën Radoiçiq, atëherë mund të themi se ka vërtet ndryshim të politikës”, thotë Bjellosh.
Me mbulim minimal nga mediat në Serbi, Bjellosh thotë se Banjska në këtë vend është harruar “brenda muajit”, ndaj nuk ka pasur ndonjë reagim të qytetarëve në lidhje me politikën e Serbisë.
“Mediat e pavarura, që kanë raportuar më gjerësisht për Banjskën, nuk kanë ndikim apo depërtim të madh te popullata. Kontrollimi i mediave nga pushteti ka bërë që kjo ngjarje të shtypet dhe të mos flitet për të – të mos flitet sidomos për ata që kanë qenë të përfshirë në sulm, e as për përfshirjen e mundshme të shtetit”, thotë Bjellosh.
Këtë mendim ndan edhe Aleksandar Popov nga Qendra për Rajonizim në Serbi. Sipas tij, është taktikë e presidentit të Serbisë që incidentet e tilla t’i errësojë me kriza të reja.
“Banjska, për një muaj, është harruar. Vuçiq ndjek logjikën e Millosheviqit: ‘kur ke një problem, atëherë krijo një problem më të madh, në mënyrë që ai i vjetri të harrohet’”, thotë Popov.
Të dy analistët thonë se në anën tjetër të medaljes është Perëndimi. I shqetësuar për ndikimin e Rusisë dhe të Kinës në Serbi, Perëndimi toleron shumë veprime të Vuçiqit dhe është më i interesuar për stabilitet strategjik sesa për përgjegjësi strikte.
Për të argumentuar këtë qëndrim, ata përmendin “mosreagimin” e diplomatëve perëndimorë ndaj një sulmi të personave të maskuar kundër studentëve të Fakultetit Filozofik në Novi Sad – më 23 shtator – ku dyshohet të jenë infiltruar edhe njerëz të partisë së Vuçiqit.
“Perëndimi, në vend se ta ndëshkojë Serbinë, mesa duket po e përkëdhel dhe ka harruar që Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë. Perëndimit fare nuk i intereson se si është sundimi i ligjit në Serbi, si janë raportet e pushtetit me mediat e shumë gjëra të tjera”, thotë Popov.
Një vit pas sulmit në Banjskë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i përsëritën thirrjet e tyre që të gjithë të përfshirët në këtë ngjarje, të mbahen përgjegjës. BE-ja tha se pret nga Serbia që t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm, për t’u siguruar që të dyshuarit japin llogari.
Më pak se një javë para përvjetorit të parë të sulmit, SHBA-ja dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim në fushën e energjisë. Paraprakisht, Serbia bëri marrëveshje me BE-në për mihjen e litiumit dhe me Francën për blerjen e avionëve luftarakë, Rafale.
Popov thotë se Vuçiq e kupton fuqinë që zotëron Perëndimi. Retorika e tij mund të shërbejë për të nxitur mbështetjen e brendshme, por janë marrëdhëniet e tij me fuqitë perëndimore ato që e diktojnë stabilitetin e administratës së tij.
Bjellosh pajtohet. Thotë se Vuciq, aktualisht, ka një qasje të kujdesshme ndaj Kosovës, sepse e kupton ekuilibrin që i kërkohet, për të ruajtur pozicionin e tij politik.
“Mendoj se atij nuk i intereson të bëjë ndonjë veprim të njëanshëm që do të çonte në përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës, sepse një gjë e tillë do të rrezikonte jo vetëm pozicionin e tij politik, por edhe mbështetjen që ka nga udhëheqësit perëndimorë, si dhe marrëveshjet me Perëndimin për litiumin, për dërgesat e armëve në Ukrainë e në Izrael, si dhe për disa projekte infrastrukturore që janë në përgatitje e sipër. Andaj, nuk pres që në të ardhmen e afërt, Vuçiq të ketë interes për të provokuar apo për të nxitur ndonjë incident të sigurisë”, thotë Bjellosh.
Ajo që duket qartë, është se sulmi i ka rënduar edhe më tej marrëdhëniet e acaruara mes Kosovës dhe Serbisë.
James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës, thotë se situata është e mbushur me konfuzion, pasi informacionet e disponueshme janë të kufizuara dhe të bazuara kryesisht në akuza dhe kundërakuza.
“Është e sigurt të thuhet se e gjithë situata i ka radikalizuar edhe më tej marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës. Ato janë përkeqësuar vazhdimisht viteve të fundit, por tani kanë prekur një nivel edhe më të ulët dhe tensionet janë shumë më të larta se përpara. Në këtë aspekt mendoj se sulmi në Banjskë ka pasur një ndikim shumë serioz dhe potencialisht afatgjatë në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, thotë Ker-Lindsay.
Në Kosovë, Prokuroria Speciale ka ngritur tashmë një aktakuzë për rastin e sulmit në Bansjkë, në të cilën ka implikuar 45 persona. Aty përmendet edhe Radoiçiqi, i cili përshkruhet si “udhëheqës i grupit terrorist që ka tentuar ta aneksojë veriun e Kosovës dhe t’ia bashkojë Serbisë”, por nuk përmendet përfshirja e Serbisë.
Për rrjedhojë, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar aktakuzën si të paplotë. Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë këtë javë, ai ka thënë se ka dëshmi për përfshirjen e së paku komandantëve të lartë ushtarakë serbë.
“Kemi dëshmi të padiskutueshme se ky grup terrorist ka mbajtur ushtrime ushtarake në Pasulanske Livade, që është një kazermë zyrtare e ushtrisë së Serbisë, ku Vuçiq shkon pothuajse çdo muaj dhe mbikëqyr trajnime të ndryshme të pjesëtarëve të njësiteve të ndryshme të ushtrisë apo policisë. E, çuditërisht, në aktakuzë nuk është as komandanti i kësaj kazerme, as zëvendëskomandanti i kazermës, as komandanti i Ushtrisë së Serbisë, e pse jo edhe vetë Vuçiq në qoftë se ka lidhje të drejtpërdrejtë me këtë sulm”, ka thënë Sveçla.
Në fund, çfarë mund të thuhet një vit pas sulmit? Sipas analistëve, jo shumë. Derisa pushtetarët në Serbi “e injorojnë elefantin në dhomë”, kurse ata në Kosovë e drejtojnë gishtin e fajit andej e këndej, qytetarët e rëndomtë do të vazhdojnë të shikojnë me mosbesim përsëritjen e dramave të njëjta. Paqja do të mbetet larg, derisa udhëheqësit e dy vendeve të mos i zëvendësojnë akuzat e kundër-akuzat me një dialog të sinqertë.