Rastet e ngacmimeve, sulmeve seksuale dhe dhunimeve kanë marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Në të tilla ngjarje të trishta jo rrallëherë ka pasur të përfshirë emra të njohur për publikun – që shpesh edhe janë mbajtur fshehtë.
Gazeta ka mësuar detaje ekskluzive për një rast të tillë që u denoncua të shtunën dhe rezultoi me arrestimin e një personi të dyshuar. Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se i arrestuari në këtë rast është Jeton Karahoda, 63-vjeçari që njihet si “Guru Shqiptar”.
Karahoda përfundoi në Polici si i dyshuar për sulm seksual, pas denoncimit të një vajze 22-vjeçare, e cila kërkoi ndihmën e Policisë gjatë ditës së djeshme.
Siç merr vesh Sinjali, bazuar në dëshminë e viktimës, e njëjta ka deklaruar se gjatë orëve mësimore që i kanë mbajtur për meditim dhe yoga, fillimisht ka pasur afrimitet me mësuesin Karahoda përmes lodrave seksuale.
Nxënësja e tij ka rrëfyer tutje në Polici se herën e fundit Karahoda e ka kryer edhe aktin e marrëdhënies seksuale me të, situatë kjo që e ka revoltuar viktimën – e cila ka deklaruar se ka pasur edhe diskutim me mësuesin se një gjë e tillë është ilegale.
Denoncimi i 22-vjeçares ka aktivizuar Policinë, me ç’rast është siguruar prezenca e të dyshuarit Karahoda dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor.
Pas intervistimit dhe procedurave të tjera, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Sulmi seksual”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.