Gjykata e Apelit mori vendim për ndryshimin e aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, e cila vitin e kaluar shpalli aktgjykim lirues ndaj Granit Elshanit, i cili akuzohej për vrasjen në ‘City Club’ dhe e dënoi me 24 vjet burgim. Bazuar në vendimin e Apelit, Elshani duhej të dërgohej në paraburgim, por Policia nuk e gjeti në shtëpi.
Sipas informacioneve të para, Granit Elshani nuk ndodhet fare në vend pasi është larguar nga Kosova.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Lekë Muqaj.
Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda, me kryetar të trupit gjykues Sulltan Dobraj, bazuar në aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, APS.nr.18/2024 të datës 20.09.2024, me të cilin është caktuar masa e paraburgimit ndaj të pandehurit G.E., ka lëshuar në të njëjtën datë urdhëresë për Stacionin Policor në Pejë, që i pandehuri G.E. të dërgohet nga shtëpia e tij në Qendrën e Paraburgimit.
Nga raporti i policisë për zbatimin e urdhëresës, jemi njoftuar se i pandehuri G.E. nuk është gjetur në shtëpi, dhe sipas deklarimit të familjarëve të tij, ai nuk ndodhet në Kosovë.
“Më datën 24.09.2024, Gjykata ka lëshuar një urdhërarrest drejtuar Stacionit Policor në Pejë, duke i urdhëruar ata të ndërmarrin veprime për arrestimin e të pandehurit G.E. dhe ta dërgojnë atë në Qendrën e Paraburgimit.
Deri në atë moment, nuk kishte asnjë informacion lidhur me ekzekutimin e urdhërarrestit të datës 24.09.2024, dhe Gjykata ka konstatuar se Stacioni Policor në Pejë nuk ka arritur ende të ekzekutojë këtë urdhërarrest.
Gjykata, duke u bazuar në faktet e lartpërmendura, ka konstatuar se janë përmbushur kushtet ligjore për të lëshuar urdhër për shpalljen e Letërreshtimit vendor. Sot, më datën 27.09.2024, është lëshuar Letërreshtim vendor, i cili do të shpallet nga Policia e Kosovës – Stacioni Policor në Pejë, në të gjitha Stacionet Policore të Kosovës dhe në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës.“
Ndryshe, në arsyetimin e Gjykatës së Apelit thuhet se nuk qëndrojnë pretendimet për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi aktgjykimi i Gjykatës Themelore nuk ka kundërthënie mes dispozitivit dhe arsyeve të dhëna, ndërsa pretendimet e Prokurorisë Speciale për vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike janë marrë si të bazuara.
Gjykata Themelore në Gjakovë, e kishte liruar Elshanin nga akuzat në nëntor të vitit 2023, duke deklaruar se kishte “ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprat penale si në aktakuzë.”
Elshani akuzohej se “me datën 02 janar 2010, rreth orës 22:45 minuta, në Pejë, në diskotekën “C.C.”, e cila gjendet në afërsi të sheshit “Haxhi Zeka” në Pejë, me dashje në shenjë hakmarrje për ta privuar nga jeta të dëmtuarin V.K., ka nxjerr dy armë dhe ka filluar të gjuaj në drejtim të tij me këtë rast me dashje ka privuar nga jeta viktimën B.Sh. dhe ka rrezikuar jetën e të dëmtuarve V.K., A.B. dhe një numri të madh të personave të pranishëm në diskotekë. Po ashtu në largim e sipër nga vendi i ngjarjes, jashtë diskotekës “C.C.”, me armë zjarri ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, duke rezultuar me lëndim të rëndë trupor për të dëmtuarit H.B.”.
Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Pejë, më 30 maj të vitit 2018, kishte shqiptuar 25 vjet burgim, ndaj Granit Elshanit.