Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se rreshteri Afrim Bunjaku u vra duke mbrojtur Republikën e Kosovës, në përballje me sulmin paramilitar serb që tentoi të cenonte rendin ligjor dhe kushtetues.
Bislimi ka shkruar në Facebook të martën se Bunjaku do të nderohet për jetë e mot, e sipas tij, sakrifica e tij do të “udhëheqë drejt parimeve të drejta e liridashëse”
“Sulmi paramilitar serb i 24 shtatorit të vitit të kaluar, tentoi të cenonte rendin tonë ligjor e kushtetues, sovranitetin e integritetin territorial. Ky akt agresor e terrorist, u përball me rezistencën e denjë dhe profesionale të Policisë sonë, e ku heroi Afrim Bunjaku ra duke mbrojtur shtetin e Republikën tonë.
Shërbeu me nder e përkushtim, deri në vetëflijimin heroik. Veprës së tij, i jemi mirënjohës përherë si komb, e për këtë do ta nderojmë për jetë e mot. Emri i tij u ngulit me shkronja të mëdha sot në veriun e vendit tonë, ku përmes vendimit të mbrëmshëm të mbledhjes së 221-të të Qeverisë, në Banjskë të Zveçanit u vendos tabela e rrugës që mban emrin Afrim Bunjaku”, ka shkruar Bislimi.