Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin gusht 2024.
Deficiti tregtar ka arritur 9.4% në muajin gusht 2024 krahasuar me muajin gusht 2023.
“Të dhënat nga tregtia e jashtme të mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 9,4% në muajin gusht 2024, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2023, gjegjësisht në vlerë prej 498,5 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 455,8 milionë eurosh në vitin 2023. ”, thuhet në rapoirtin e ASK-së.
Ndërsa eksporti mbulon importin me vetëm 14,4%. Eksporti i mallrave në muajin gusht 2024 kishte vlerën 83,5 milionë euro, ndërsa importi 582,0 milionë euro, që është një rritje prej 24,0% për eksport, si dhe një rritje prej 11,2% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 19,6% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 19,2% e përbëjnë produktet minerale; 11,4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11,0% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,3% e përbëjnë artikuj të ndryshëm të prodhuar; etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15,9% e përbëjnë produktet minerale; 14,2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11,4% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9,9% e përbëjnë mjetet e transportit; etj.
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 15,8 milionë euro, ose 18,9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (10,1%) dhe SHBA (2,2%).
Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 264.6 milionë euro, ose 45,5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (15,1%) dhe Kina (12,9%).