Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një vjetorin e vrasjes së heroit, Afrim Bunjaku, tha se me nderime të larta po i përulen figurës dhe sakrificës së tij, përcjell Prishtina Sot.
Ai tha se përgjegjësia për vrasjen e Bunjakut dhe organizimit të atij sulmi terrorist është drejtpërdrejt e Serbisë.
Postimi i plotë:
Me nderime të larta përulemi sot para figurës dhe sakrificës së rreshter Afrim Bunjakut, dëshmorit më të fundit të Republikës sonë që ra heroikisht një vit më parë në ballafaqim me grupin terrorist të Serbisë që synoi aneksimin e veriut të vendit tonë.
Rënia e tij mbrojti sovranitetin e territorin e vendit tonë andaj është edhe heroike, edhe e paharrueshme.
Përgjegjësia për vrasjen e heroit Afrim Bunjaku dhe organizimit të atij sulmi terrorist është drejtpërdrejt e Serbisë. Drejtësia është e pashmangshme dhe Serbia duhet të dorëzojë terroristët sa më parë.
Rruga e fshatit Banjskë ku u vra rreshter Afrimi nga sot mban emrin e tij. Ajo është rruga që kolegët e tij e kalojnë çdo ditë në shërbim. Mesazhi që dha rreshter Afrimi është i qartë, terrorizmin e luftojmë me çdo kusht. Rruga që trasoi Afrimi është e përditshmja jonë bashkë me kolegët e tij, sundimi i rendit dhe ligjit në çdo cep të republikës sonë.
Sot kur kujtojmë e lartësojmë Afrim Bunjakun, qëndroj pranë familjes së tij, kolegëve e miqve për të ndarë dhimbjen po aq sa edhe krenarinë që atë e patëm në mesin tonë.