Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka përkujtuar njëvjetorin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Maqedonci, në një postim në Facebook, shkruan se heroizmi i Bunjakut, kapërcen momentalen, për t’u shndërruar në dëshmi të përjetshme të atdhedashurisë.
“Heronj si rreshter Bunjaku pavarësisht shkëputjes fizike nga ne, shpirtërisht e mendërisht si në gur mbesin të skalitur përgjithmonë në memorien e popullit dhe historinë e atdheut tonë. Heroizmi i Afrimit kapërcen momentalen, për t’u shndërruar në dëshmi të përjetshme të atdhedashurisë, sakrificës që populli ndër breza nuk hezitoi ta ndërmarrë, edhe kur kjo do të thoshte flijim i jetës. Në shenjë nderimi për këtë hero, në përvjetorin e ndarjes fizike nga jeta të rreshter Afrimit, së bashku me kryeministrin Kurti, kolegët ministra e ambasadorë, bëmë homazhe para varrit të rreshterit në Samadrexhë të Vushtrrisë”, shkruan Maqedonci.
Ai tha se figura të tilla nuk vdesin dhe mirënjohja për Bunjakun do të jetojë bashkë me popullin.