Kuvendi i Shqipërisë ka hapur këtë të enjte dyert për homazhe për ish-deputetin demokrat Gerti Bogdani. Ai humbi jetën një ditë më parë në mënyrë të beftë për shkak të një ataku kardiak në moshën 44-vjeçare.
Në vitin 2009, Bogdani hyri në Parlament si deputet i PD-së, duke qenë ligjvënësi me i ri i legjislaturës dhe qëndroi për dy mandate.
Në Partinë Demokratike është aktivizuar gjerësisht edhe si drejtues i Forumit Rinor dhe tentoi pa sukses të kandidonte për bashkinë e Tiranës në vitin 2023.
Liderë politikë dhe kolegë të të gjitha krahëve, vlerësuan figurën e tij dhe shprehen ngushëllime për ndarjen e tij të hershme nga jeta.
Gazetarja e ABC News, Erneta Shevroja, raporton se homazhet për nder të ish-deputetit demokrat Gerti Bogdani do të vijojnë nga ora 10:00-12:00.