Departamenti amerikan i Shtetit (DASh) ka përsëritur qëndrimin e prerë se e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është në institucionet e Bashkimit Evropian dhe se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, është “e vetmja rrugë përpara”.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha për Radio Evropa e Lirë se SHBA-ja “vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive ndërmjet dy vendeve”.
Zëdhënësi i DASh-it u bëri po ashtu thirrje Kosovës dhe Serbisë që “të përmbahen nga retorika e mëtejshme përshkallëzuese, veprimet e pakoordinuara apo aktet legjislative që bien ndesh me normalizimin e marrëdhënieve të tyre ose që rrezikojnë stabilitetin dhe sigurinë”.
Gjatë një adresimi në fund të javës së kaluar, Vuçiq kërkoi riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, përfshirë kthimin e tyre në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun, kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i komentoi kërkesat e Vuçiqit, por kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili vjen nga partia e Kurtit, tha se ato janë antikushtetuese.