Në prag të festave të fundvitit qytetarët ‘morën’ një goditje, faturat e rrymës i erdhën me dyfishim dhe me dallim të madh nga muajt e kaluar. Qytetarë të shumtë të pashpresë kanë publikuar faturat e tyre gjithandej në rrjete sociale, teksa thonin se shuma që i erdhi është e papërballueshme për ta. Por, përkundër kësaj, ‘pushtetarët’ janë duke festuar.
Ministja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka publikuar disa fotografi në profilin e saj në “Facebook”.
Qeveria ka përmbyllur vitin me një tubim festiv.
“Vitin 2023 e mbyllëm me një tubim festiv së bashku me aktivistë, miq e bashkëpunëtorë të Lëvizjes, me besimin që në vitin 2024 të përqafojmë edhe më shumë idenë tonë drejt një shoqërie më të barabartë dhe më të drejtë. Sonte festuam së bashku për secilën punë të mirë dhe u zotuam që do të angazhohemi tutje edhe për shumë punë që na presin“, shkroi ajo.
I pari Qeverisë që dikur bënte thirrje për protesta lidhur me faturat e asaj kohe, këtë herë ka zgjedhur që të festoj përderisa qytetarët po ‘vuajnë’.
Madje ai ka thënë se adresat e vetme për ankesa janë KESCO dhe ZRrE.
Sipas Kurtit, kur ka konsum më të lartë të energjisë elektrike “natyrisht se ka edhe faturë më të lartë”.
“Nëse ka fatura të fryera, KESCO dhe ZRrE janë adresa të cilat duhet t’i adresojnë me seriozitet edhe me shpejtësi të gjitha ankesat, mirëpo nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike. Kur ka konsum më të lartë natyrisht se ka edhe faturë më të lartë. Shtrenjtim të energjisë elektrike nuk ka”.
“Ne i kemi subvencionuar, kemi ndihmuar edhe sa i përket pajisjeve efiçiente për amvisëri edhe për bizneset në vazhdimësi po përpiqemi maksimalisht me ministren Ekonomisë, Artane Rizvanolli që të kenë furnizim të qëndrueshëm edhe çmime të përballueshme, por shtrenjtim të energjisë nuk ka”.
“Nëse ka konsum më të lartë vjen fatura më e lartë dhe natyrisht se ju e dini që ata që kanë kursyer i keni shpërblyer dhe tash kanë pajisje efiçiente me mijëra familje, andaj kush ka dyshime se ju ka fry fatura, KESCO dhe ZRrE është adresa”, u shpreh Kurti.
Ndërkohë që në 2015 bënte thirrje për protesta, tani si kryeministër i vendit, Albin Kurti pati një tjetër sugjerim për qytetarët që u ankuan për fatura të larta.
KESCO: Nuk ka rritje të tarifave
Theksojmë se Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka deklaruar se nuk ka rritje të tarifave fundore, po sipas tyre, shumë konsumatorë po ngrohen me rrymë.
Sipas KESCO-s, tarifat e energjisë elektrike janë rishikuar dhe rritur afërsisht 15% krahasuar me tarifat 2022-2023, me vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, më 1 prill 2023.
“Rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kwh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë te konsumatorëve”, thuhej në njoftim.
Fatura “jonormale” – të nisin hetimet
Nga KMDLNJ i kanë quajtur si “jonormale” faturat e këtij muaji, derisa i kanë kërkuar Prokurorisë së Shtetit që të nis hetime urgjentisht.
“Faturat për rrymë të muajit dhjetor për shumicën e qytetarëve dallojnë shumë nga ato të muajit të kaluar, janë 100 % e më shumë më të larta. Në ndërkohë askush nuk ka njoftuar për rritje eventuale të çmimit të energjisë elektrike sikur që edhe temperaturat nuk kanë qenë të larta për të shpenzuar energji shtesë. Po në të njëjtën kohë serbët dhe banorët tjerë të veriut të Kosovës vazhdojnë të mos i paguajnë faturat për rrymën e shpenzuar sikur që rrymën e shpenzojnë pa asnjë kufizim. Qeveria e Kosovës në rastin konkret po zbaton standarde të dyfishta duke favorizuar serbët e veriut pasi ua paguan rrymën dhe duke i ndëshkuar konsumatorët e rregulltë me një rritje aq të madhe dhe për këtë as që ka reaguar”, thuhej në reagimin e tyre.