Ramiz Shala, zyrtar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe të Sportit (MKRS), i cili javën e kaluar e denoncoi Agim Ademin për kërcënim të tre futbollistëve të kombëtares së Kosovës në futboll, shtoi detaje të reja për akuzat e tij ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit.
Të dielën, Shala e ka vazhduar denoncimin e tij ndaj kreut të FFK-së për ngjarjen e përjashtimit të tre futbollistëve për shkelje të rregullores së grumbullimit të ekipit kombëtar. Ka pasur raportime se ata tre dolën në klube nate.
Në një deklaratë në emisionin e sportit në Tëvë1 të dielën, ai shpjegoi në detaje denoncimin e tij të bazuar në burime brenda kampit të grumbullimit të ekipit kombëtar të futbollit.
Shala tha se Agim Ademi i ka ftuar personalisht në zyrë tre futbollistët Edon Zhegrova, Florent Muslija dhe Arijanet Muriq dhe i ka kërcënuar.
“Në momentin që [Zhegrova, Muslija dhe Muriq, v.j] kanë ardhur në hotel, janë parë nga Hekuran Kryeziu dhe nga i famshmi, i madhi, drejtori Samir Ujkani. Këta, menjëherë e kanë informuar Agim Ademin. Të nesërmen, janë thirrur nga kryetari Ademi në një hapësirë të Federatës së Futbollit, janë ftuar të tre djemtë në zyrë dhe tekstualisht yjeve të Kosovës iu është drejtuar me fjalët ‘ta prish ftyrën’, ‘ua thej këmbët’. Paramendo tash çka ndodh! Në momentin që i thotë kështu Zhegrovës, ai çohet e rrapëllon derën dhe del jashtë, shkon e merr torbën e thërret babanë e tij dhe del prej hotelit Emerald”, tha ai.
Sipas Shalës, pas largimit të Zhegrovës, kryetari Ademi u detyrua të vendoste për përjashtimin e tre futbollistëve nga grumbullimi i kombëtares.
“Të nesërmen, çka ndodhë?! Të detyruar dhe të gjendur përball presionit, menjëherë është dashur t’i thërrasin dhe t’i thonë ‘hajde po i suspendojmë prej këtij grumbullimi’ sepse ka dal djali [Zhegrova, v.j], ai s’është më aty”, u shpreh ai.
Tëvë1 raportoi se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetime për rastin e kërcënimit të futbollistëve.
Subjekt i hetimeve është kryetari i FFK-së, Agim Ademi, raportoi televizioni.
Ndërkaq, ish-futbollisti Taulant Dajaku, një nga kritikët më të zëshëm të Ademit, tha të dielën në emisionin Favorit në televizionin T7 se “pesë persona janë duke u hetuar për këtë ngjarje” dhe se Prokuroria pritet të marrë deklarata nga tre futbollistët.