Një person është sulmuar nga qentë endacakë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Incidenti ka ndodhur mëngjesin e së enjtes, kur viktima po kalonte në oborrin e QKUK-së.
Qenë të shumtë kanë sulmuar personin duke i shkaktuar lëndime të rënda në trup.
I lënduari është dërguar menjëherë për trajtim në Emergjencë mirëpo për shkak të natyrës së lëndimeve ai është transferuar në Klinikën Infektive.
Rasti është raportuar edhe në Policinë e Kosovës.
Kjo nuk është hera e parë që qytetarët sulmohen nga qentë endacakë në oborrin e QKUK-së e gjithandej nëpër rrugët e Prishtinës.