Vrasja e rëndë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizajt në prill të këtij viti, ngritet aktakuzë ndaj të dyshuarit

 

 

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë për vrasjen e rëndë në muajin prill të këtij viti, ku pas të shtënave me armë zjarri, një grua kishte mbetur e vrarë, teksa një person tjetër është plagosur.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ku ishin shkëmbyer armë zjarri.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 12 prill 2024, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, “i pandehuri, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerën E.C., me të cilën ka bashkëjetuar, ashtu që fillimisht ditën kritike rreth orës 13:00, sipas marrëveshjes në QPS, e merr djalin dhe e dërgon në shtëpi për të ia prerë flokët, kurse është dashur që ta kthej në ora 15:00, mirëpo i pandehuri pas dyzet minutave kthehet pa fëmijën në QPS, dhe rreth orës 14:40 vëren tani të ndjerën E.C., me vëllain e saj D.C, pastaj para tyre hyn në zyrën e QPS-së dhe posa mbërrin e ndjera me vëllain, pas një fjalosje të shkurtë, nxjerr nga brezi armën e tipit “ZORAKI M 2906-T” dhe shtënë një herë në drejtim të të ndjerës duke e qëlluar në kraharor e pastaj shtënë edhe në drejtim të të dëmtuarit D.C, të cilin e qëllon në krahun e djathtë, pastaj derisa e ndjera E.C., fillon të largohet, e godet edhe njëherë në gjoks dhe në fund në anën e majtë të kokës, ku për pasojë e ndjera nga plagët e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes, me çka ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet edhe se i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi armën e tipit “ZORAKI M 2906-T”, e cila më 12 prill 2024,  është konfiskuar nga policia, me çka ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i pandehuri V.A., ngarkohet edhe me veprën penale “Kanosja”  “ashtu që ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, pasi vret të ndjerën E.C., me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit me përdorim të armës seriozisht e kanos të dëmtuarën Q.Z., duke ia vendosur armën në ballë me cka ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafi 2 të KPRK-së.”

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur të shpallet fajtor për veprat penale për të cilat ngarkohet sipas aktakuzës”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d