Edhe këtë vit Ministria e Arsimit ka marrë vendim që prindërit të subvencionohen për tekste shkollore. Këtë vit ky proces po konsiderohet me i lehtë nga prindërit. Disa nga ta i thanë Radio Kosovës së këtë vit ky proces ka qenë më i lehtë dhe se pas aplikimit, janë subvencionuar më shpejtë.
“ Po kam aplikuar për subvencionim. Shumë e lehtë ka qenë këtë vit proceduara, si të njohësh mënyrën e aplikimit është shumë e lehtë dhe të hollat këtë vit kanë dal shumë shpejt brenda disa ditësh. Po, kam aplikuar, procedura ka qenë e lehtë dhe nuk kam pas telashe dhe paratë kanë dalë shpejt.”
Ndërkohë, Ministria e Arsimit në një përgjigje përmes postës elektronike ka bërë të ditur për Radio Kosovën së deri më tani kanë aplikuar mbi 194 mijë prindër ose kujdestar ligjor dhe nga ta janë subvencionuar mbi 171 mijë.
“Ju njoftojmë se deri të martën kanë aplikuar gjithsej 194.180 prindër ose kujdestarë ligjor për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore. Ndërkaq, janë subvencionuar gjithsej 171.200 aplikues. Procesi i transferimit të mjeteve është duke vazhduar edhe sot. Çdo rast i adresuar në numrin e telefonit dhe në email adresën libri@rks-gov.net është trajtuar me prioritet dhe u është ofruar ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve. Siç e kemi thënë edhe më herët, asnjë nxënës nuk do të mbetet pa tekste shkollore dhe si asnjëherë më parë gjithçka është gati për fillimin me kohë e të mbarë të vitit shkollor.” , thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Për këtë vit, nxënësit e arsimit fillor nga klasa e parë deri në klasën e pestë janë subvencionuar me nga 80 euro, ndërsa për nxënësit e arsimit të mesëm të ulët, nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë, subvencionimi është 110 euro për tekste dhe mjete tjera mësimore.