BAN ngre alarmin për hirin helmues/ Konfirmimi për VOA-n: Nuk është hera e parë që transportohen mbetje toksike

 

 

Eksporti i një sasie mbetjesh industriale nga porti i Durrësit, që dyshohet se përmbajnë lëndë të dëmshme helmuese, tashmë është në lupën e një hetimi të dyfishtë të ndërmarrë nga prokuroria e Durrësit në Shqipëri dhe nga zyra e Bashkimit Europian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel, mbi 100 kontejnerë të bllokuar së fundmi në Singapor.

Por, sipas organizatës joqeveritare amerikane ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ , kjo mund të mos jetë hera e parë që ndodh një gjë e tillë.

Përfaqësues të BAN i thanë Zërit të Amerikës se edhe në raste të tjera më parë mund të jenë nxjerrë nga Shqipëria, rajoni dhe me gjasë edhe nga vende të tjera europiane, mbetje të rrezikshme helmuese me destinacion vendet aziatike.

Pretendimi i rrjetit me seli në Seattle të SHBA-së është se nga Porti i Durrësit, çdo tre apo katër muaj është eksportuar një material që dyshohet se është pluhur helmues i njohur si ‘EAF’, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike.

Përfaqësuesi i tij, Jim Puckett i tha VOA-s se të dhënat që BAN-i disponon janë marrë nga një sinjalizues nga Porti i Durrësit, i cili ka ofruar dëshmi për këtë, ndërsa organizata ka bërë edhe verifikimet e saj. “Kemi tre burime të dhënash të marra në tre kohë të ndryshme. Ne dyshojmë se kjo ndodh çdo tre apo katër muaj”, thotë Puckett.

Hiri i eksportuar nga porti i Durrësit i takon firmës ‘Sokolaj’ e cila e ka blerë atë nga fabrika e kompanisë Kurum në Elbasan që prodhon çelik dhe hekur.

E kontaktuar nga Zëri i Amerikës, firma Sokolaj deri në përgatitje e këtij materiali nuk ka kthyer përgjigje. Firma turke Kurum, në një deklaratë të bërë më 21 gusht, ndonëse nuk jepte sqarim të saktë nëse është ajo shitësja e kësaj lënde, thoshte se “Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme ndaj edhe në këtë rast, kjo ngarkesë për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International”.

Puckett thotë se eksportimi i shpeshtë i këtij materiali nga Durrësi, ngre dyshime që ai nuk vjen vetëm nga fabrika e Kurimit, pasi kjo fabrikë nuk është aq e madhe sa të prodhojë sasi kaq të mëdha të pluhurit EAF, por ky material mund ta ketë origjinën nga vende të tjera të Evropës.

Kudo ku ka fabrika për shkrirjen e çelikut, krijohet ky lloj hiri. Kompanitë duan ta heqin atë qafe, sepse kostoja është më e lartë për ta menaxhuar siç duhet, thotë ai.

Sipas të dhënave që sinjalizuesi i dha Rrjetit të Aksionit të Bazelit, rasti i fundit ishte në muajin korrik, kur material i dyshimtë fillimisht u ngarkua në kontejnerë në Portin e Durrësit.

Pasi largohet nga porti i Durrësit, kontejnerët udhëtojnë drejt portit të Triestes, në Itali. Aty kontejnerët ngarkohen në dy anije të tjera transportuese, që i përkasin firmës daneze ‘Maersk’.

Prej portit italian, përmes Detit Mesdhe dhe bregdetit të Afrikës malli u nis fillimisht për në Singapor, prej nga do të vazhdonte rrugën për në destinacionin e tij përfundimtar, Tajlandën. Ndërsa malli lundronte në mes të ujërave të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Jugut, një nga dy anijet që e transportonin atë u zhduk nga radarët.

BAN-i thotë se kjo ndodhi pikërisht në kohën kur ata ngritën shqetësimin se një ngarkesë me pluhur helmues po transportohej nga Shqipëria për në Azi.

Firma daneze Maersk e konfirmoi për Zërin e Amerikës se sinjali nga një prej anijeve të saj me të vërtetë u ndal, por thotë se kjo nuk u bë për arsyen që ngre si dyshim BAN-i, duke sqaruar se në fakt, teksa situata e sigurisë në ujërat rreth rajonit të Lindjes së Mesme është e ndjeshme, nuk është e pazakontë që disa pronarë anijesh të çaktivizojnë gjurmuesin e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d