Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka nënshkruar sot vendimin për certifikimin e minandezësve që do të ndihmojnë në nxjerrjen e xeheve në minierën e Stan Tërgut.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Sveçla përmes një postimi në Facebook.
“Me kërkesë të Trepçës, me qëllim të rritjes së kapaciteteve nxjerrëse të xehes në Minierën e Stan Tërgut, sot kam nënshkruar Udhëzimin Administrativ përmes së cilit mundësohet trajnimi dhe certifikimi i minandezësve nga institucionet tona, aq sa do të jenë të nevojshëm për Trepçën”.
Sveçla i cili javën e kaluar i vizitoi minatorët grevistë të cilët janë pa paga në dy muajt e fundit, tha se Udhëzimi Administrativ është realizuar në kohë rekord.
“Falënderoj grupin punues që në afat rekord kanë punuar këtë dokument të rëndësishëm që ka adresuar në plotni kërkesat e punonjësve të Trepçës”, tha Sveçla.
Ai premtoi se si qeveri “do të ndërmarrim çdo hap të nevojshëm që Trepça të ngritët e të zhvillohet.”