Grupi kriminal i dyshuar për mashtrime për kontrata pune në Irak, Afganistan dhe Poloni, po akuzohet se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi kanë arritur të përfitojnë kundërligjshëm rreth 80 mijë euro, duke i mashtruar kosovarët. Aktakuza ndaj çiftit Lohaj dhe ‘ndihmësit’ të tyre ka zbuluar plot raste të të rinjve që kanë rënë pre e tyre me synimin për t’u larguar nga Kosova për një jetë më të mirë,.
Nazim Lohaj, bashkëshortja e tij, Kefserja dhe i dyshuari tjetër Korab Hoxha, po dyshohet se kanë vepruar si grup dhe kanë mashtruar gjatë periudhës kohore 2020-2022, me dashje dhe me qëllim të përfitimit.
Disa nga kosovarët të cilët janë viktima të këtij rasti, kanë rrëfyer për Sinjalin se si kanë paguar mijëra euro për të siguruar kontrata pune në bazat e ushtrisë amerikane në Irak, por që gjithçka iu doli një mashtrim.
Njëri prej tyre tha për Sinjalin se Nazim Lohaj ka paraqitur fakte të rreme, dokumente të falsifikuara, përfshirë edhe kontratën – duke tentuar që të jetë sa më i besueshëm derisa ka arritur t’i kap paratë.
I riu që ka arritur tashmë të sigurojë një vizë pune jashtë vendit, ku edhe punon, shtoi se njeh shumë viktima të këtij mashtrimi që kanë dhënë edhe paratë e sëmundjes që kanë mbledhur, vetëm që të pajisen me kontratë.
“Më kanë mashtruar mua dhe disa shokë. Kemi dhënë para nga 4 mijë euro e deri në 8 mijë euro, të cilat nuk na i kthyen kurrë. Ka qenë e vështirë t’i sigurojmë paratë, por shpresa që të gjejmë vend pune ishte e madhe. Premtimet e tyre kanë qenë të rrejshme, ka njerëz që kanë dhënë edhe paratë e sëmundjes dhe kanë mbetur me gishta në gojë. Fatmirësisht unë sot jam jashtë Kosovës pasi kam arritur që të vi në perëndim përmes rrugëve legale, por a shumë të tjerë që janë mashtruar dhe kanë mbetur pa para…”.– tha i riu për Sinjali.
Në bisedat që disa prej të dëmtuarve kanë pasur me të dyshuarin kryesor, shihet se si Nazim Lohaj mashtron se selektimi i aplikantëve do të bëhet në bazë të kontinenteve, derisa të vjen koha gjoja për Ballkan.
Lohaj ka mashtruar tutje se disa nga personat që kanë aplikuar do të selektoheshin përmes pagesave e disa të tjerë me dokumentet e aplikimit.
Madje, në një bisedë, ai pretendon se kinse ka folur me një “amerikan”, i cili i ka bërë rekomandimet për personat të cilët do të pajiseshin me kontrata.
Pritjet e gjata të viktimave për muaj e vite të tërë kanë pasuar me rrenat e vazhdueshme të Nazim Lohajt, që përveç që nuk i siguroi kurrë kontratat, nuk ua ktheu as paratë.
Ai arsyetohej në vazhdimësi se ka “shumë punë” dhe s’mund të iu përgjigjej të gjithë aplikuesve, duke thënë se po “punon” deri në 16 orë.
Në plot raste, Nazim Lohaj ka shkuar edhe më tej, duke thënë se i është sëmurë djali, gruaja e nëna, e madje edhe vet gjoja kishte përfunduar në spital. [Për hir të ruajtjes së privatësisë, Sinjali nuk do t’i publikojë fotot e familjarëve të tij, që ua ka dërguar të dëmtuarve për ta ‘larë’ veten].
Makthi për të rinjtë që ranë pre e tij vazhdoi edhe për një kohë – derisa e kuptuan që gjithçka ishte mashtrim dhe vendosën t’i drejtohen Policisë.
Më poshtë gjeni edhe kontratat që dyshohet se i kishte falsifikuar Nazim Lohaj dhe një dokument tjetër për lëvizje të lirë.
Dëmi total nga veprimet e Nazim Lohajt, sipas Prokurorisë arrin shumën rreth 80 mijë euro.
Gruaja e tij, Kefsere Lohaj, akuzohet se në vazhdim, me dashje i ndihmon bashkëshortit të saj, në atë mënyrë që derisa ai nuk gjendej në Kosovë, ajo takohej me disa nga të dëmtuarit dhe pranonte shuma të të hollave në vlera nga 3000 mijë deri në 6000 mijë euro.
“…e pastaj këto shuma të të hollave ose i deponon në llogarinë bankare të të pandehurit N.L., ose ia transferon përmes “Western Union”, me çka i ndihmon në vazhdim bashkëshortit të saj në përfitim të kundërligjshëm pasuror që kanë rrjedhur me kryerjen e veprës penale “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me nenin 33 dhe 77 të KPRK-së.”” – thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë për aktakuzën e ngritur ndaj tyre.
Ndryshe, çifti Lohaj u arrestuan në tetor të vitit 2023.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.