Incidenti i zjarrit që ndodhi para dy ditësh në fshatin Jashanicë të Klinës shkaktoi rrezik të përgjithshëm. Një person përfundoi në Polici pasi u denoncua nga disa banorë të fshatit dhe ndaj tij, në koordinim me Prokurorin e Shtetit tashmë është iniciuar hetim.
Rasti ndodhi mbrëmjen e 25 gushtit, kur banorët e këtij fshati kërkuan ndihmën e Policisë dhe të Zjarrfikësve pasi disa ara të kooperativës ‘Malizhgan’ ishin përfshirë nga zjarri.
Bazuar në informacionet e para, disa dëshmitarë kanë dhënë deklarata para Policisë lidhur me këtë rast dhe njëri prej tyre e ka akuzuar punëtorin e një kompanie.
Sinjali ka mësuar se personi që u shoqërua në Polici si i dyshuar për këtë rast është A. Raci, i cili e ka mohuar se ka gisht në zjarrvënien e asaj pjese.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se punëtori i dyshuar ka dëshmuar në stacion policor se kishte dalë në vendin e ngjarjes pasi e kanë njoftuar se ka zjarr, por s’është i përfshirë në rast.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të hapet rasti dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme për ta zbuluar shkaktarin e zjarrit.