Nga sot gjoba për vozitësit që nuk kanë ndërruar patentë shoferët serbë

 

 

Nga dita e sotme, drejtuesit e automjeteve që nuk kanë ndërruar dokumentet, gjobiten nëse kapen nga policia rrugore duke drejtuar automjetet e tyre.

Të premten përfundoi procesi i zëvendësimit të patentë shoferëve të Serbisë me shenjat e qyteteve të Kosovës në patentë të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Kosovës.

Pesë muaj pas përfundimit të ri-regjistrimit të automjeteve nga targat e Serbisë në ato të Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës filloi procesin e ndërrimit të patentë shoferëve. Shoferëve u është dhënë një afat prej tre muajsh e gjysmë që t’i ndërrojnë patentë shoferët e lëshuar nga MPB-ja e Serbisë me shenjat e qyteteve të Kosovës në patentë të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës. Fillimisht u dha afati nga 9 maji deri më 9 gusht, e më pas MPB-ja e Kosovës e zgjati procesin e zëvendësimit deri më 23 gusht. Ky afat ka skaduar të premten, kështu që nga sot vozitësit, para së gjithash në veri të Kosovës ku ka pasur më së shumti dokumente të tilla, nuk do të mund të drejtojnë më veturat e tyre nëse kanë dokumente serbe.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës gjatë fundjavës ka paralajmëruar se vozitësit që nuk kanë bërë zëvendësim nuk do të mund t’i ngasin veturat e tyre dhe nga sot do të fillojnë me ndëshkimin e tyre, pasi që dokumentet e tilla konsiderohen të paligjshme në Kosovë.

Nuk dihet se sa do të jetë shuma e gjobës dhe siç tha MPB-ja e Kosovës, këto gjoba do të caktohen nga gjykata. Megjithatë, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka bërë të ditur se gjobat do të jenë në vlerë nga 500 deri në 1500 euro.

Procesi i shkëmbimit të patentë shoferëve ka shkuar pa probleme dhe gjatë kësaj periudhe janë shkëmbyer mbi 6.300 dokumente.

Më së shumti kërkesa për ndërrim të patentë shoferëve janë paraqitur në veri të Kosovës, 5.574.

Në Leposaviq ka pasur 1.944 kërkesa, në Mitrovicën e Veriut 1.536, në Zubin Potok 940 dhe në Zveçan 1.154.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d