Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka ndarë disa fotografi të fontanave që gjenden në hapësirat e Kryeqytetit të Prishtinës duke theksuar se gjatë kësaj vere të ngrohtë asnjëra nuk ka qenë funksionale.
“Në këto dy muaj të nxehtë përvëlues, është e papranueshme që kryeqyteti ynë të mos ketë asnjë fontanë funksionale në hapësirat publike për freskimin e qytetit. Çdo ditë kaloj nëpër sheshin kryesor dhe lagje të ndryshme të Prishtinës, dhe për muaj të tërë nuk kam parë asnjë fontanë të funksionojë”, ka shkruar ai.
Sipas Bajqinofcit kjo është përgjegjësi e kryetarit dhe drejtorëve të Komunës.
„Çfarë kryetari dhe drejtorësh kemi në Prishtinë që nuk janë në gjendje të mirëmbajnë 7 fontana në këto kushte klimatike? Me vite të tëra këto fontana kanë funksionuar rregullisht, por tani duket se edhe gjërat bazike janë lënë pas dore. Nëse nuk mund t’i menaxhosh as fontanat, çfarë mund të presim për shërbimet e tjera më të rëndësishme?“, ka shtuar ndër të tjera deputeti.